Gjithçka gati për certifikim të rezultatit të zgjedhjeve, Supremja rrëzon ankesat ndaj PZAP-së
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara gjashtë ankesa administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke konfirmuar në tërësi qëndrimet e këtij institucioni lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025.
Sipas aktgjykimeve, ankesat e paraqitura nga disa subjekte politike dhe kandidatë individualë, përfshirë Partinë Rome të Bashkuar të Kosovës, koalicionin PAI–PDAK–LPB, Nova Demokratska Stranka dhe kandidatin e PDK-së Bekim Haxhiu, janë vlerësuar si të pambështetura me prova konkrete.
Gjykata ka theksuar se pretendimet për parregullsi, manipulime apo shkelje të kuotave gjinore dhe mandateve të rezervuara nuk janë dëshmuar në mënyrë të besueshme.
Në arsyetimet e saj, Gjykata Supreme ka nënvizuar se anulimi i votave apo ndryshimi i rezultateve zgjedhore mund të bëhet vetëm në raste të shkeljeve të qarta dhe të provuara, duke mbrojtur parimet e sigurisë juridike, votës së lirë dhe besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor.