Gjini për gazin amerikan: Do ta ndryshonte rrënjësisht fatin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të vendit
Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka reaguar lidhur me editorialin e ushtrueses së detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Kosovë (aktualisht e ngarkuara me punë, Anu Prattipati), e cila ka bërë thirrje që Kosova t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror në Ballkan.
Gjini ishte i ashpër në reagimin e tij, pasi Lëvizja Vetëvendosje edhe në të kaluarën e kishte refuzuar gazin amerikan. Ai tha se statistikat e paraqitura nga u.d. e ambasadores amerikane, Prattipati, janë dëshmi e gjallë e një krimi ekonomik dhe gjeostrategjik kundër Republikës së Kosovës.
I pari i AAK-së tha se gazi amerikan do të ndryshonte rrënjësisht fatin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë.
Tutje, Gjini tha se Kosova ka shpenzuar 735 milionë euro të taksapaguesve për import të energjisë elektrike vetëm në katër vitet e fundit, me këtë shifër që është rritur nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.
Duhet theksuar se Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i papërfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.
Reagimi i plotë:
Ajo që u konfirmua zyrtarisht nga u.d. Ambasadorja amerikane, Annu Prattipati, nuk është thjesht një statistikë e frikshme, është dëshmia e gjallë e një krimi ekonomik dhe gjeostategjik kundër Republikës së Kosovës. Kosova ka djegur plot 735 milionë euro të taksapaguesve në import të rrymës vetëm katër vitet e fundit, duke u rritur nga 142 milionë në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.
Aleanca e ka ditur që nga dita e parë se projekti i Gazit Amerikan do të ndryshonte rrënjësisht fatin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë. Ne e kishim jetësuar dhe projektuar këtë si projektin më të madh të shekullit. Por, paranoja ideologjike dhe vendimi skandaloz i qeverisë në ikje, në vitin 2021 për ta bllokuar këtë projekt strategjik, e la Kosovën në errësirë, të izoluar dhe të varur tërësisht nga vendet e rajonit.
Në takimin tim të para dy ditëve me u.d. Ambasadoren Prattipati, ia bëra të qartë pozicionin tonë: Qëndrimi i Aleancës për Gazin Amerikan mbetet i palëkundur. Ky projekt është shtylla kryesore e planit tonë qeverisës, njëjtë siç kishte qenë edhe atëherë kur e kishim sjellë në Kosovë, falë miqve tanë ndërkombëtare.
Kur të tjerët eksperimentonin me fatin e Kosovës dhe refuzonin mbi 200 milionë dollarë grante falas nga MCC-ja amerikane, ne paralajmëronim për këtë krizë që po jetojmë sot. Sot faturat e larta të rrymës po i paguajnë familjet dhe bizneset kosovare sepse qeveria në ikje dëboi investimet dhe teknologjinë amerikane për llogari të politikave izoluese.
Plani ynë parashesh zhbllokim të menjëhershëm të projektit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë. Do t'i bashkohemi menjëherë projekteve të gazit natyror nëpër Ballkan për të siguruar pavarësinë tonë energjetike.
Siguria energjetike është siguri kombëtare.
Epoka e mashtrimit dhe izolimit përfundon më 7 qershor.
Kosova do t'i kthehet zhvillimit dhe aleancës së shenjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!/Nacionale