Gjermania planifikon të blejë mbi 100 automjete luftarake nga Australia
Gjermania planifikon që të blejë më shumë se 100 automjete luftarake të prodhimit australian si pjesë e planit për modernizimin e forcave të armatosura, tha të enjten qeveria gjermane.
Zyrtarët gjermanë dhe australianë nënshkruan një marrëveshje për të bashkëpunuar për blerjen e automjeteve të reja luftarake, të cilat janë të mbështetura në automjetet e blinduara “Boxer” dhe të pajisura me mitraloz 30-milimetërsh. Ministria e Mbrojtjes tha se qëllimi është që automjetet të sigurohen në vitin 2025.
Ministria nuk e publikoi çmimin për blerjen e këtyre automjeteve. Megjithatë, autoritetet njoftuan se mjetet do të ndahen nga fondi i posaçëm prej 100 miliardë eurosh për modernizimin e ushtrisë, të cilin Gjermania e miratoi pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, raporton agjencia “Associated Press”.
Automjetet e reja do t’i zëvendësojnë automjetet e blinduara gjermane të tipit “Wiesel 2”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Ekziston përshtypja e gjerë se ushtria gjermane është ballafaquar me shpërfillje të gjatë nga institucionet. Vështirësitë janë sidomos për shkak të pajisjeve të vjetra e që funksionojnë dobët.
Qeveria gjermane është ballafaquar me kritika për nisjen e ngadalshme të shpenzimit të fondit të posaçëm, por ka thënë se 30 miliardë euro tashmë janë ndarë për kontrata të ndryshme.
Në dhjetor, ligjvënësit gjermanë ua dhanë dritën e gjelbër një vargu projektesh, përfshirë blerjen e aeroplanëve luftarakë F-35.
