Gëzimi qeveritar për mbi 800 milionë eurot kredi/grante që vinë ‘me parakushte të veçanta’: Asociacionin
Mos-heqja e ndalesës së mallrave serbe për Kosovën do të kishte implikime në përfitime nga Fondi i Rritjes: ndërsa tash, me heqjen e saj, me ç’duket vendi e siguroi veten në një fazë të parë ‘angazhimin konstruktiv’ në normalizim të marrëdhënieve si parakusht për benefite – ndonëse deri tash vetëm në këstin e parë – nga ky fond.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, s’mund ta thoshte me siguri se kur e merr Kosova këstin e parë të fondit – i.e: kredi të buta dhe grante – të BE-së: “sivjet...nëse jo muajin tjetër” pati thënë ai nga Brukseli ndërsa liderët e shteteve tjera të rajonit (me përjashtim të BeH-së) mund të flisnin edhe me data për disbursimin e parë.
Hiç më larg se sot Komisioni Evropian miratoi “Agjendën e Reformave” të shteteve pjesëmarrëse duke shënuar hapin thelbësor në mundësimit e kryerjes së pagesave të para: por, Kosova dhe Serbia kanë parakushte, zbatimi i të cilave do të monitorohet nga organet evropiane para secilës pagesë: përkatësisht dy pagesave në vit.
Komisionari Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, ka njoftuar se kryerja e pagesave të para kryhet këtë muaj.
“Në thelb presim që pagesat e para të bëhen brenda këtij muaji. Ky është plani. Kjo do të thotë gjithashtu se koha që vendet të vazhdojnë reformat për të marrë pagesa të mëtejshme është po mbaron”.
Parakushtet për Kosovën dhe Serbinë janë ‘angazhimi konstruktiv’ në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e të gjitha obligimreve që burojnë nga Marrëveshja Bazike/Ohrit: kjo e fundit e zënë në ngërç në çështjen e draft-Statutit të Asociacionit – sipas Bashkimit Evropian.
Por...por, nga Qeveria e Kosovës assesi s’besojnë – ndonëse është (stër)thënë dhe shkruar nga KE – që vendi të kushtëzohet me dialogun me Serbin për të përfituar nga ky Fond i Rritjes.
Ditë më parë Zëvendës Ministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, duke folur për KosovaPress u shpreh tejet i sigurt se “nuk ka dilema” që disbursimi i parave të ndodh dhe se ato “nuk kushtëzohen nga dialogu me Serbinë”.
“Nuk pres që do të pritet diçka e tillë....ajo çka është dashur të bëjë Kosova në kuptimin e hapave që parashihen është bërë tashmë. Disbursimi besoj se do të ndodh dhe s’ka dilemë për këtë”, tha ai.
Por, grant-dhe-huadhënësit thonë tjetër gjë: Ndërmjetësi evropain për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të dorëzojë raport për “angazhimin konstruktiv” të palëve në bisedime; dhe e cila do të shërbejë si matësi pro-ose-kontra disbursimit të mjeteve.
Të njëjtën gjë e ritheksoi sot edhe Komisioni Evropian në publikimin e vendimit për miratim të “Agjendës së Reformave” të shteteve të rajonit: për Kosovën dhe Serbinë “ka parakushte të veçanta”.
“Pagesat do të bëhen dy herë në vit deri në vitin 2027, bazuar në kërkesat e paraqitura nga partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe verifikimin nga Komisioni të tre grupeve të kushteve”.
“Një parakusht specifik vlen për Serbinë dhe Kosovën, të cilët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, duke përfshirë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të Dialogut, të cilat do të vlerësohen duke marrë parasysh rolin dhe kontributin e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm”.
“Lëshimi i parafinancimit do t'i nënshtrohet hyrjes në fuqi të marrëveshjeve të lehtësisë dhe kredisë, si dhe do të jetë subjekt i respektimit të parakushteve, të cilat Komisioni do t'i monitorojë përpara çdo pagese”, u tha në publikimin e KE-së/