Gërvalla: S’ka tensionim në raportet me ShBA-të, ka tema ku s’pajtohemi 100 për qind - NACIONALE

Gërvalla: S’ka tensionim në raportet me ShBA-të, ka tema ku s’pajtohemi 100 për qind

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka folur rreth raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në intervistën për Zërin e Amerikës, Gërvalla ka theksuar se nuk ka tensionim të raporteve mes Kosovës dhe ShBA-së.

Megjithatë, ajo e ka pranuar se ka disa tema, ku Kosova me ShBA-në nuk pajtohen “100 për qind të aspektin teknik”.

“Ne, e para, nuk kemi tensionim të raporteve prandaj duhet të ishim shumë të kujdesshëm në terminologjinë që përdorim. Kemi disa tema ku nuk pajtohemi 100 për qind në aspektin teknik, mirëpo kjo është plotësisht normale në marrëdhëniet mes dy partnerësh të ngushtë. Konsideroj se kjo është shumë normale, jo vetëm mes partnerësh, mes dy shtetesh, por është normale edhe në një familje, e cila, përsëri po e përsëris, kemi të njëjtat synime të dyja, edhe SHBA edhe Republika e Kosovës, në të gjitha temat që kanë të bëjnë me rajonin tonë edhe me përparimin e vendeve tona.” – tha ajo.

Tutje, Gërvalla ka theksuar se debati në raportet mes Kosovës dhe ShBA-së është normale.

“Që kemi debat lidhur me tema të caktuara është krejtësisht normale. Mirëpo, vënia në pikëpyetje e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka ndodhur asnjëherë dhe nuk ka qeveri të Kosovës, nuk ka institucione të Kosovës, as këto të tanishmet, as ato që mund të vijnë në të ardhmen të cilat do të mund ta vinin në pikëpyetje një relacion të tillë.” – shtoi ajo.

Gërvalla u pyet edhe për çështjen e dinarit, duke shtuar se marrëdhëniet me ShBA-të janë shumë të mira.

“Unë mendoj se ka shumë keqkuptime dhe shumë keqinterpretime lidhur me një rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës që është një institucion i pavarur, në punët e së cilës qeveria e Republikës së Kosovës nuk përzihet. Mirëpo, çfarë jemi duke diskutuar është çështje e implementimit të asaj rregulloreje, ku e kemi pranuar në ndërkohë, se bashku me partnerët tanë që mund të jetë nevojë aty-këtu për ndonjë fazë më të gjatë ose më të zgjatur për implementimin e saj. Mund t’ju them që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të mira. Dhe janë shumë të mira sepse në të gjitha temat që trajtojmë në rajonin tonë, kemi të njëjtin qëndrim dhe kemi të njëjtat synime.” – vazhdoi ai.

Ndërsa në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, Gërvalla vlerësoi se Kosova është e përgatitur për këtë anëtarësim.

“Ne mendojmë se nëse nesër krijohet kuorumi i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për Kosovën, atëherë mendojmë që një kërkesë e tillë, pra raporti do të mund të miratohet. Dhe më lejoni të konstatoj sot se rrallë ndonjëherë në historinë e anëtarësimeve pas vitit 1990 në Këshillin e Evropës ndonjë shtet ka qenë kaq i përgatitur për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Kemi vepruar së bashku me të gjithë mekanizmat e Këshillit të Evropës, raporti është pozitiv, të gjitha detyrat e shtëpisë janë bërë, prandaj presim që gjatë marsit, gjatë prillit por edhe gjatë majit të kemi lëvizje në këtë drejtim.” – shtoi ajo.

Lajme të ngjashme