Gërvalla pritet në Arabi nga Sheiku Zayed Al Nahyan, diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla është pritur në Emiratet e Bashkuara Arabe nga Ministri i Jashtëm, Sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
Gërvalla në takim me Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan, kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Gjatë vizitës së saj zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, u prit në takim nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan, me të cilin diskutoi fillimisht rreth zhvillimeve të fundit në Republikën e Kosovës, progresit por edhe sfidave aktuale me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Republikës e më pas duke vazhduar bisedën gjerësisht rreth marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mundësive se si të forcohen ato më tutje”, thuhet në njoftim.
Nga MPJ e Kosovës u bë e ditur se në takim gjithashtu u diskutua edhe për rritjen e bashkëpunimit.
“U diskutuan aspekte të ndryshme për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit, duke filluar nga ato më evidentet si investimet direkte dhe ekonomia e deri tek mundësitë më praktike që prekin përditshmërinë e qytetarëve në sferën energjisë, edukimit, bujqësisë e sigurisë në ushqim. Ministrja Gërvalla më tutje theksoi se përkundër sfidave politike dhe shoqërore, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe qeveria e tyre janë gjithmonë e më të vendosur për të shënuar vazhdimisht progres në fusha të ndryshme ekonomike dhe shoqërore, të cilat edhe në raportimet ndërkombëtare vjetore po vlerësohen shumë”, thuhet tutje në njoftim.
Gërvalla pritet që gjatë dy ditëve të ardhshme do të vazhdojë me takime me përfaqësues të ndryshëm të qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe bizneseve të rëndësishme në këtë vend.
