Gërvalla “harron” zotimin për draftin e ri: Presim përgjigje nga BE-ja për komentet tona lidhur me draftin e Asociacionit
Duket se Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka harruar zotimin e saj drejtuar Këshillit të Evropës se Kosova do të shkruajë një draft të ri për Asociacionin dhe deri në fund të majit do ta dërgoj në Kushtetuese.
Ajo ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës është në pritje të përgjigjeve nga BE-ja për komentet që Kosova i ka bërë për draftin e Asociacionit, i cili është propozuar nga BE-ja dhe është pranuar në parim nga Kosova.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ajo ka thënë se komentet e Kosovës për këtë dokument janë përmbajtjesore.
“Jo. Unë ju thashë që ne kemi dërguar komentet tona lidhur me atë. Komentet tona janë përmbajtjesore dhe ne presim përgjigje për komentet tona lidhur me këtë”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka vlerësuar se draftin në fjalë Kosova nuk do ta zbatojë pa i zbatuar Serbia obligime e veta.
“Ne kemi dërguar komentet tona; nuk kemi marrë ende përgjigje për komentet që kemi dërguar lidhur me atë draft dhe ato i kemi dërguar menjëherë vjeshtën e kaluar. Ndërsa nëse e shohim që qenka kaq urgjente çështja e një formati të cilin komuniteti serb do të mund të kishte një vetorganizim brenda ligjeve dhe brenda rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, atëherë në vend që të presim një proces të cilin Serbia e bllokon në çdo hap dhe nuk e pranon si të tillë, ne do të duhej të uleshim dhe do të duhej ta zgjidhnim vet. Në këtë pikë kemi qenë, kjo ka qenë oferta jonë. Të mos presim bllokadat. Ne nuk do ta zbatojmë atë draft i cili është në kuadër të procesit të Brukselit, pa u zotuar Serbia që edhe ajo të zbatojë pjesën e saj të punës. Prandaj duhet t’i ndajmë gjërat – ose po e trajtojmë Asociacionin në Bruksel ose po e trajtojmë në Kosovë, por dy proceset nuk mund t’i lidhim bashkë”, ka thënë Gërvalla.