Gërvalla kërkon veprime të Perëndimit kundër Serbisë: Ajo po tolerohet, kreu agresion ndaj Kosovës
"The Guardian", medie e njohur britanike, po vazhdon mbulimin mbi sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku ra në detyrë një polic dhe u vranë tre terroristë. Së fundmi, media britanike ka raportuar në lidhje me fajësimin që autoritetet e Kosovës, përfshirë Donika Gërvallës, ministre e Punëve të Jashtme, po i bëjnë Serbisë në lidhje me sulmin terrorist. Çka tha zonja Gërvalla?
Në artikullin e “The Guardian”, Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme e Kosovës, vlerësoi se asgjë nuk mund të jetë siç ishte para sulmit terrorist në Banjskë. Tutje, ai ka kërkuar nga kryeqendrat perëndimore që të sanksionojnë Serbinë.
“Ajo që ndodhi të dielën, më 24 shtator 2023, ishte një akt i hapur agresioni i Serbisë kundër Republikës së Kosovës.” – deklaroi Gërvalla në një deklaratë për “The Guardian”.
Tutje, Gërvalla ka theksuar se ka një mori dëshmish në lidhje me përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë.
“Kjo është dëshmuar edhe në ditët e fundit me një mori dëshmish”, tha ajo, duke shtuar se “institucionet e Kosovës po zbulojnë më shumë armë dhe pajisje ushtarake në vende të ndryshme të pjesës veriore të Kosovës, përgjatë kufirit me Serbinë”.
Ministrja Gërvalla e akuzoi Serbinë se qëndron “pas sulmit terrorist”, shkruan “The Guardian”, dhe tha se “nuk ka dy anë në këtë përshkallëzim që është kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin”.
“Qëllimi i këtij agresioni ishte pushtimi i veriut të Kosovës dhe imponimi i ndarjes, që është synim për të cilin qeveritarët e Serbisë kanë punuar vazhdimisht, haptas dhe në fshehtësi, me vite të tëra”, deklaroi Gërvalla.
Kryediplomatja kosovare deklaroi se përderisa Kosova po angazhohej në dialogun në Bruksel, Serbia po synonte pushtimin e Kosovës.
“E shihni, derisa ne po angazhoheshim në Bruksel në atë që quhet një dialog normalizimi, Serbia po përgatitej për një pushtim të vendit tonë. Vetëm falë reagimit profesional dhe në kohë të policisë sonë, sulmi terrorist nuk ka pasur sukses.” – theksoi Gërvalla.
“Tani asgjë nuk mund të mbetet ashtu siç ka qenë…Duhet të shohim veprime të qarta nga BE-ja dhe perëndimi kundër Serbisë…Është e pakuptueshme se si Kosova ende sanksionohet nga BE-ja për zbatimin e sundimit të ligjit, ndërkohë që Serbia po tolerohet në agresionin e saj të stilit të Donbasit kundër një fqinji sovran.” – shtoi zonja Gërvalla.
Kujtojmë që sot Milan Radojiçiqi, udhëheqësi i grupit të armatosur që kreu sulmin terrorist, është ndaluar për 48 orë në Serbi, ndërsa po vazhdon të intervistohet në prokurorinë publike në Beograd.
