10 ditë pas sulmit terrorist, Policia e Serbisë e arreston Milan Radojiçiqin
Policia e Serbisë e ka arrestuar e ndaluar për 48 orë kryekriminelin terrorist serb, Milan Radojiçiq.
Kjo vjen tek 10 ditë pas sulmit terrorist në Banjskë në veriun e Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Serbisë, duke theksuar se është dorëzuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë e Beogradit.
“Më 03.10.2023, zyrtarët policorë të Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë bastisur banesën dhe lokalet tjera të Milan Radoiçiqit, i cili është ndaluar deri në 48 orë”, njoftoi Ministria e Brendshme e Serbisë.
Milan Radojiçiq ishte në krye të sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kishte publikuar pamjet ku shihej në krye të grupit kryekrimineli serb.
Radojiçiqit iu bastisën pronat edhe në veriun e Kosovës, iu konfiskuan shumë dokumentacione e gjësende, dhe vila e ndërtuar afër Ujmanit.
Disa ditë më pas, Radojiçiq doli me një letër duke u tentuar ta heqë fajin nga Serbia, e duke e fajësuar tërësisht veten.
Në letër, Radojiçiqi tenton të heq të gjitha përgjegjësitë për aksionin terrorist nga shteti serb, duke theksuar se përgatitjet logjistike i ka bërë personalisht vet ai.
“Po i njoftoj të gjithë të përndjekësit e popullit serb, që nga Kurti e deri te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit. Ky akt i imi nuk ka pasur asnjë karakter tjetër, asnjë qëllim dhe nuk ka të bëjë fare me përfshirjen time të mëparshme politike“.
Tutje, ai pretendon se nuk e ka njoftuar askënd nga shteti i Serbisë.
“Për këtë nuk kam njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Republikës së Serbisë, as nga strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe Metohisë dhe as kam marrë ndihmë prej tyre, sepse tashmë kemi pasur qëndrime të ndryshme për të kaluarën. metodat e rezistencës ndaj terrorit të Kurtit”.
Në letrën e tij, Radojiçiqi thekson se jep dorëheqje nga funksioni i nënkryetarit të Listës Serbe.
“Edhe një herë me dhimbje theksoj se kthimi im në veri të Kosovës dhe Metohisë më 24 shtator 2023 nuk kishte të bënte me angazhimin tim të mëparshëm politik brenda Listës Serbe. Gjithashtu, me këtë po e njoftoj opinionin se po paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe”.
Kujtojmë që Milan Radoiçiqi është i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, për frikësimin e dëshmitarëve të rastin “Brezovica” dhe është i sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe.
Avokati Petronijeviq tha se nuk ka arritur që të shoh pamjet që janë transmetuar se klienti i tij ka qenë pjesë e grupit që mori pjesë në sulmin e 24 shtatorit.
Por ajo çka konfirmoi avokati Petronijeviq është se Milan Radojiçiq nuk ka qenë i plagosur dhe nuk është trajtuar në aspektin shëndetësor.
“Unë nuk mund të gjykoj asgjë, sepse këtë incizim fatkeqësisht as nuk e kam parë, për sa i përket gjendjes shëndetësore, as nuk ka qenë i plagosur as nuk ka qenë i trajtuar” – tha avokati Petronijeviq.