Gërvalla e nervozon opozitën duke e mbrojtur Kurtin: “Ministre me aktakuzë, “s`replikojmë me ty” - NACIONALE

Gërvalla e nervozon opozitën duke e mbrojtur Kurtin: “Ministre me aktakuzë, “s`replikojmë me ty”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka dal sot në përkrahje kryeministrin Albin Kurti.

Në seancën e sotme parlamentare, ku po debatohet për situatën në veri, ajo ka sulmuar opozitën, duke thënë se është turp që sot të mos mbrohet Kushtetuta e Kosovës.

Të gjithë e dimë që dhuna në veri nuk ka të bëjë me të drejtat e pakicave serbe. Dhe e dimë cilat janë bandat serbe që i terrorizojnë banoret brenda republikës. Është kohë e vështirë që kërkon vendime të vështira. Në dallim nga ata që sot flasin në emër të Lidhjes Demokratike kanë qenë pjesë e zhgënjimeve”, ka thënë Gërvalla.

Në adresimin e saj, ai ka përmendur veprimet e qeverive të kaluara.

Sipas saj, kryeministrat e kaluar kriminelet serbë i kanë pritur në zyrat shtetërore.

SHBA dhe BE nuk presin nga ne as nënshtrim e as servilitetin, presin të ndërtojmë shtet demokratik me vendime të guximshme. Antiamerikanizëm është shkelja e sovranitetit të Kosovës. Turp nuk është të mbrosh qëndrimet kushtetuese e ligjore, turp është ta presësh në zyrë të kryeministrit Radojçiqin dhe kolegët e tij. Jo pse është serb, por pse është kriminel”, është shprehur ajo.

Në fjalimin e saj, ajo nuk e la pa e përmendur edhe PDK-në.

Për dallim nga kryeministri nuk përmend emra konkret, sepse po e shoh që sidomos te PDK-ja po shqetësoheni fort. A thua pse po shqetësoheni kaq fort pse po u djeg kaq shumë. Pse nuk po shkojnë në zyrë kryetarët tuaj të zgjedhur?”, ka thënë Gërvalla

Opozita nuk e sheh të denjë ministren Gërvalla

Fjalimi i kryediplomatës ka nxitur reagimin e partive opozitare. Deputetët e LDK-së dhe PDK-së ia kanë kujtuar asaj që javën e kaluar prokuroria i ka ngritur aktakuzë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Gërvalla nuk është e denjë as të replikohet më të.

Zëvendëskryeministrja 13 herë e përmendi LDK-në në fjalimin e saj. Seriozisht, hynë në kategorinë e personave tashmë edhe zyrtarisht me të cilët LDK’ja ma as nuk replikon, nuk i plotëson as minimum kriteret e replikës”, ka thënë Gashi.

Kurse, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se ministrja Gërvalla më mirë është të merret me punët e saj se ta mbrojë Kurtin.

Ministre me aktakuzë, nuk ka shqiptar mbi ketë tokë që është kundër shtrirjes së sovranitetit, besa asnjë ndërkombëtarë. Shtrine sovranitetin deri në Nish, nëse keni fuqi vete, urdhëroni. Të gjitha forca i keni ju si qeveri, shtrinë sovranitetin, askush nuk po ju ndalon me e shtri sovranitetin, me i kapë kriminelët, nuk keni ndalesa. Problemi është që ti me u merr me punë tanë më shumë. Na trego çka do me bo?. Cili është plani B për njohjet, kur del sekretari i shtetit, del ambasadori amerikan, dalin shtetet e QUINT-it dhe të e thonë se ne nuk kemi gatishmëri ta përkrahim Kosovën për njohje të reja e anëtarësim në organizata”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.

Ajo e ka pyetur ministren Gërvalla edhe për disa gjera tjera.

A e di që kurrfarë fuqie në rajon nuk e ke, lere më me gjerë. Pra as Shqipërinë nuk e ke pas teje, as Malin e Zi, as Maqedoninë, as Kroacinë, as Sllovenin dhe asnjë vend anëtar të BE-së dhe as SHBA-të. Na trego shumë sinqerisht se çfarë përgjigje sekrete ke marrë nga NATO, sa i përket aplikimit për anëtarësim në NATO dhe na trego se çfarë siniali ke marrë për anëtarësim në Interpol?. Merru me punët tua, se nuk je askund hiq e mos u mundo me e mbrojt kryeministrin”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Lajme të ngjashme