Gënjeu, nuk pranoi pyetje nga gazetarët, iku si “langarec” - NACIONALE

Gënjeu, nuk pranoi pyetje nga gazetarët, iku si “langarec”

1 vit më parë

nga Xhezair Dashi

  • “Unë i kam kry shkollat”

Shkollat (vini re shumësin) e Dimal Bashës dolën të kenë qenë bashkëudhëtim me persona namkeq ndaj emrit, etnisë dhe kombit shqiptar si Jana Arsosvska – një ‘studiuese’ maqedonase me një pezm të madh që e ka germëzuar në bibliografinë e saj akademike. Arsovska krejt shkallët e ngjitjes së vet akademike del t’i ketë bërë me një kryemotiv në ‘hulumtimet’ e veta: “kriminalitetin e shqiptarëve”, dhe, me një udhë me këtë kryemotiv, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e premison krejt mbi rrëfime dhe referenca binjake të atyre serbe dhe ruse. CV-ja e saj peshon rëndë antishqiptarizëm: gjendet kollaj online përmes një kërkimi në ‘Google’ dhe vargu vertikal i scroll-it shkon poshtë e më poshtë për “kriminalitetin e shqiptarëve”.

Dhe, Dimal Basha, Kryetar i Kuvendit, që thotë jetë graduar me “Summa Cum Laude” – me nderimet më të larta të arritshmërisë në ShBA – e gjeti të-shoqe bashkëautore m’u namkeqen Jana Arsovska: Jo vetëm një punim shkencor, por katër sosh “Arsovska & Basha” i ka të listuara autorja maqedonase në reportuarin e "shkencërimit" të saj.

Artikulli që u shpluhuros nga parëndësia e një uebsajti, ku UÇK u ngjyros me hijezimet më të errëta si “e financuar, armatosur nga operacione të trafikantëve të drogës” – solli edhe reagimin e Bashës: jo për t’u distancuar nga përmbajtja, por për të pretenduar se ka kontribuar “vetëm në një kapitull” për islamin radikal "me fokus Kosovën". Bashkëautorësia, thënë thjesht, do të thotë: përgjegjësi e plotë akademike, etike dhe ligjore për tekstin në tërësi, tekst i cili miratohet në versionin përfundimtar nga të dy bashkëshkrimtarët.

Nacionale raportoi para një dite për përmbajtjen tërësisht të anshme dhe demonizuese të Arsovska-s në librin e saj “Dekodimi i Krimit te Shqiptarët”, referencat e të cilës poashtu te artikulli “Dasha dhe Arsovska: Krimi Transnacional” të kopjuara dhe si bazë mbi mbrojtjen e tezës së shtruar: aty UÇK bëhet produkt i krimit dhe mafisë së drogës.

Basha tha se në atë kohë ka qenë “student” duke provuar t’i jep nënkuptime rinore: por, më 2012 kur është botuar teksti, ai ka qenë hiç më pak se 33 vjeçar – Dimal Basha është i lindur më 1979.

Thirri konferencë për shtyp, pyetje nga gazetarët nuk pranoi, nuk e denoncoi përmbajtjen anti-UÇK ku emri i tij si autor ka bashkëpërgjegjësi të plotë edhe akademike dhe morale, dhe ia mbathi me folklor “të mos votohet Lista Serbe” – thënë në terma të tij, iku si “langarec”.

Burim Ramadani, ekspert i sigurisë dhe i luftës hibride, shtroi pyetjen në terma më të thjeshtë: Ku po e njeh Dimali – Arsovskën? Për këtë fundën, tha Ramadani, ajo është “person i njohur për redaksinë”. Ramadani tha për Nacionale:

  • “Për redaksinë” nënkupton është emër i njohur për njerëzit që përcjellin me vëmendje se kush janë personat që bëjnë Luftën Hibride ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Edhe studiuesit që merren me këtë fushë, e hasin emrin e saj në vazhdimësi si një prej propaganduesve agresiv kundër UÇK, Kosovës dhe shqiptarëve. Shumë afër si ndikim Themeluesi i organizatës joqeveritare të ekstremit të djathtë “Solidarité Kosovo”, francezi Arnaud Gouillon (Arno Gujon) apo me Boris Malagurskin për shembull.

Teksti famëkeq i bashkëautorëve: Basha & Arsovska

“UÇK u financua nga para të drogës dhe trafikantëve të drogës”, “Trafikant të drogës dërguan njerëz të armatsur të luftojnë përkrahë tyre”. “Konflikti etnik legjitimoi dhe mbështeti lidhjen ndërkombëtare kriminale-politike të Kosovës në emër të ndërtimit të kombit”.

Artikulli në fjalë i Dimal Bashës, sot të zgjedhur Kryetar të Kuvendit të Kosovës, portretizojnë një luftë çlirimtare shqiptare të gërshetuar me krim transnaciona dhe trafikantë të drogës – kësisoji, duke jehuar një tregim që shkon përtej tregimit të regjimit të Millosheviqit dhe narracionit rus për luftën në Kosovë.

Qe, pa ndërhyrje, disa prej pretendimeve më monstruoze të Dimal Bashës:

“UÇK-ja nuk mbështetej zyrtarisht nga asnjë shtet, kështu që duhej të mbështetej në burime të tjera alternative financimi (Raufer, 2003; Lewis, 2011; Lowen, 2011). Sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në vinin nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, si dhe nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Evropën Perëndimore dhe SHBA-në. Kjo mbështetje nuk kufizohej vetëm në para, por trafikantët e drogës dërgonin gjithashtu njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të UÇK-së.8 Ndërsa lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë të përcaktohet, ka raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqimisht një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së (Jonsson, 2013)”,

“Në Belgjikë, i ashtuquajturi shef i ‘mafias shqiptare’ VH la plumba para dyerve të njerëzve nga diaspora shqiptare si një kujtesë se taksat ‘vullnetare’ që ata duhej të paguanin në mbështetje të qeverisë në hije dhe UÇK-së nuk ishin realisht “vullnetare”.9 Mbijetesa e UÇK-së varej nga financimi i ofruar nga banditët patriotë që vepronin përtej kufijve. Të ashtuquajturat taksa vullnetare u dërgoheshin organizatave humanitare si Vendlindja Thërret ‘Atdheu thërret’. Xhavit Haliti ishte ish-kreu i logjistikës për UÇK-në dhe deri në vitin 2011 ishte një deputet i lartë për partinë PDK në Kosovë. Sipas një raporti të inteligjencës së KFOR-it, Haliti drejtoi Fondin Atdheu Thërret dhe kur financimi u tha, “u drejtua krimit të organizuar në një shkallë të gjerë”, shkruan Basha.

“Ngjashëm me Bosnjë-Hercegovinën, konflikti etnik legjitimoi dhe mbështeti lidhjen ndërkombëtare kriminale-politike të Kosovës në emër të ‘ndërtimit të kombit’. Konflikti u dha kriminelëve një mundësi për çlirim episodik nga kufizimet morale.11 Për më tepër, agjencitë perëndimore të inteligjencës gjithashtu mbyllën sytë ndaj lidhjes kriminale-politike që po shfaqej në Kosovë. Që nga fillimi i viteve 1990, shumë veta kanë qenë të vetëdijshëm për lidhjen midis UÇK-së dhe trafikantëve të drogës (Layne, 1999). Pas përfundimit të luftës së Kosovës, u raportua se Kosova u bë tokë pjellore për trafikantët e drogës dhe se sasitë e heroinës së trafikuar përmes Kosovës u dyfishuan (Klebnikov, 2000; Qendra për Studime Gjeopolitike të Drogës 2011). Pas konfliktit, vetë UÇK-ja u shpërbë zyrtarisht, megjithatë, shumë nga ish-komandantët e UÇK-së shpejt vunë një kapelë tjetër dhe u futën në politikë. Me politikën erdhi edhe krimi (Jonsson, 2013; Mitchell, 2002; Marty, 2010; Brunnwasser, 2011; ICG, 1999). Ish-komandantët e UÇK-së shpesh pretendojnë se të gjitha akuzat kundër tyre janë vepër e komploteve të huaja”, shkruna më tej ai.

Lajme të ngjashme