Gazetari gjerman Martens: Perëndimi po e identifikon Kurtin si problemin real, por s'është e drejtë
Gazetari i famshëm gjerman që kishte shkaktuar skandal në Kosovë duke e hequr një fragment kryesor nga intervista me kryeministrin Albin Kurti, ka shkruar një artikull ku ka përmendur edhe zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Martens e shpërndau artikullin e titulluar “Ndërmjetësues me duar bosh” (gjer: Vermittler mit leeren händen) derisa shkroi në Twitter kritika të ashpra ndaj Bashkimit Evropian dhe politikës së saj të zgjerimit, për të vazhduar më pas me atë që e sheh si problematike në lidhje me zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë.
Mos-përparimi i Maqedonisë në rrugën drejt BE-së – përkundër edhe ndryshimit të emrit – thotë se mund të ndikojë edhe në këto zhvillime të rëndësishme.
The big promise of the West in the region since the 1990ies was membership in the European Union. But since 2013 not a single new member has been accepted, and the betrayal of North Macedonia has left a lasting scar on the Union´s reputation in the region.
— Michael Martens (@Andric1961) January 22, 2023
“Kurti dhe Vuçiqi, natyrisht se e dinë këtë gjë.” – shkruan z. Martens, që e kishte nxjerrë nga Kurti deklaratën e famshme se ambasadori amerikan kishte ditur më shumë se ai për situatën e sigurisë në veri të vendit.
“Pse atëherë duhet të rrezikojnë kapitalet politike që kanë?” – ka pyetur ai në Twitter. “Për një biletë në Holandë? Kosova madje as nuk po merr ndihmën kruciale evropiane për t’u futur në Këshillin e Evropës. Pse atëherë duhet të presin që trajtohen më mirë në rrugën e tyre drejt BE-së?”
Martens konsideron që “perspektiva evropiane” e ka humbur kredibilitetin.
Por, më pas postimet e tij në Twitter nisin e bëhen edhe më interesante.
Sipas burimeve të tij, z. Vuçiq e kishte nisur takimin e të premtes në Beograd me pesëshen e emisarëve perëndimorë me (sic) dramën e tij të zakontë:
“(Po më vrisni mua. Ju urrej. Do të doja t’mos ju kisha takuar kurrë. Etj.) Disa perëndimorë e kishin paralajmëruar atë që nuk mund të ulej në dy karrige edhe për shumë kohë. Hm. Përnjëmend? A s’mundet? S’jam i sigurtë,”- shkruan më tej ai.
Ai thotë edhe se perëndimi po e “identifikon Kurtin si problemin e vërtetë” por e kundërshton një identifikim të tillë duke besuar që BE-ja nuk po ka asgjë për të ofruar. Sipas tij, Perëndimi po provon ta bëjë Kurtin të duket si një egomaniak kokëfortë që nuk e kupton rëndësinë e ofertës perëndimore.
“Situata për Vuçiqin është më e kollajtë. Ai mund të pretendojë se Kurti duhet fajësuar për mungesën e zgjidhjes, ndërsa ai bazikisht pajtohet me propozimin perëndimor.”
Në fakt, Kurti e ka fajësuar vazhdimisht presidentin serb se e ka maskuar refuzimin e propozimit franko-gjerman përmes tensioneve në veri të vendit. Ai ka përmendur edhe një mbledhje të këshillit të sigurisë së Serbisë duke pretenduar se anëtarët kishin qenë unanimisht kundër.
Ndërsa gazetari pretendon se Kurti e ka një kusht për pranimin e propozimit franko-gjerman: garancia se do të na njohin pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe që kjo garanci të vendoset në marrëveshje.
Por, Martens që e kishte intervistuar Kurtin më herët nuk ndalet këtu. Ai i quan arsyetimet e Kurtit për mos-formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si “të gjymta” që nuk i bëjnë nder.
Megjithatë, edhe nëse Kurti ia del ta tejkalojë këtë ‘gjymti’, Martens thotë se nuk beson që kjo mund të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.