Gazetari amerikan: SHBA bombardoi Nord Stream - NACIONALE

Gazetari amerikan: SHBA bombardoi Nord Stream

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Gazetari investigativ amerikan Seymour Hersh pretendon në një artikull të botuar sot se SHBA bombardoi tubacionet e gazit Nord Stream 1 dhe 2. Hersh u bë i famshëm për zbulimin e masakrës My Lai në vitin 1968 dhe skandalin e burgut Abu Ghraib në mesin e viteve 2000, ai shkroi për The New Yorker dhe The New York Times, dhe ai është fitues i çmimit Pulitzer.

Edhe pse Hersha është ndjekur nga disa polemika vitet e fundit për shkak të pretendimeve provokuese të mbështetura nga prova të pakta dhe burime anonime, për këtë punë ka reaguar Rusia, e cila kërkoi një deklaratë nga SHBA-të dhe Shtëpia e Bardhë, e cila mohoi gjithçka.

Në një raport të publikuar në platformën e botimit online Substack, Hersh pretendon se bombardimi i tubacioneve nënujore të gazit Nord Stream në Detin Baltik ishte një operacion i fshehtë i urdhëruar nga Shtëpia e Bardhë dhe i kryer nga CIA.

" Zhytësit amerikanë bashkëpunuan me Norvegjinë"

Hersh shkruan se operacioni u krye “nën mbulesën e një stërvitje të NATO-s në mes të verës së kaluar, e njohur si Operacionet Baltic 22 ose BALTOPS 22”, e cila u krye në qershor në brigjet e Gjermanisë. Ai pretendon se zhytësit amerikanë, duke përdorur një stërvitje ushtarake të NATO-s si mbulesë, vendosën mina përgjatë tubacionit që më vonë u shpërthyen nga distanca.

Gazsjellësit Nord Stream 1 dhe 2 u shkatërruan në shtator të vitit të kaluar, në një sërë shpërthimesh, shkaku i të cilave ende nuk dihet. Doli se shpërthimet ishin shkaktuar qëllimisht dhe Rusia dhe SHBA-ja akuzuan njëra-tjetrën për këtë. Hersh tani pretendon se i gjithë operacioni është urdhëruar nga presidenti amerikan Joe Biden dhe se sulmi është kryer nga CIA në bashkëpunim me Norvegjinë.

Hersh pretendon se Biden e mori vendimin pas nëntë muaj planifikimi. “Në një pjesë të madhe të asaj kohe, pyetja nuk ishte nëse do të kryhej misioni, por si do të kryhej pa asnjë të dhënë të qartë se kush ishte përgjegjës”, shkruan gazetari.

Në shkrimin e tij, Hersh citoi një burim anonim që ai tha se kishte "njohuri të drejtpërdrejtë të planifikimit operacional". Ai tha se zhytësit vendosën eksploziv C4 pranë tubacionit, i cili më vonë u aktivizua nga disatanca.

Ministria e Jashtme ruse dërgoi sot një kërkesë për përgjigje nga SHBA për pyetjet në lidhje me rolin e saj në shpërthimet në tubacionet e gazit Nord Stream.

Duke komentuar raportin e Hersh, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova i bëri thirrje Shtëpisë së Bardhë të komentojë mbi "faktet" që u prezantuan. Siç shkruan Reuters, raporti nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur.

Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se dëshmia e Hersh ishte "plotësisht e rreme dhe një trillim i plotë". /Nacionale/

Lajme të ngjashme