Gazetarët gjermanë e shuplakojnë lehtë Kurtin, rëndë Grenellin
Edhe pas përfundimit të zgjedhjeve të së dieles, një pjesë e shtypit gjerman është marrë gjerë e gjatë me Kosovën.
Duke e kaluar përgjithësisht me indiferencë rënien e Vetëvendosjes nga shumica që gëzonte para katër vitesh, gazetarë, kolumnistë e redaktorë të njohur më tepër po merren me të dërguarin e posaçëm të presidentit Trump, Richard Grenell.
Në këso vija është shpërvjelur edhe një komentar i redaktorit të politikës në Frankfurter Allgemeine Zeitung, Reinhard Veser.
Në kolumnen e tij të titulluar ‘Trumps destruktiver Sondergesandter’ (I dërguari i veçantë e shkatërrimtar i Trumpit), analisti gjerman nuk ka munguar të japë kritika për “sjellje destruktive” të administratës së re amerikane.
“Zgjedhjet në Kosovë japin një përshtypje mbi rreziqet ndaj stabilitetit në Evropë që vijnë nga sjellja destruktive e udhëheqjes së re amerikane. Ka plot arsye të mira për ta kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, ka shkruar Veser.
“Natyra e tij cakërruese e ndërlikon kërkimin edhe ashtu të vështirë për zgjidhje pragmatike që ua bëjnë të mundur Kosovës dhe Serbisë të bashkëjetojnë në një mënyrë që është e pranueshme për të dyja palët”.
Në analizë është kritikuar si jo i zgjuar politikisht veprimi i Kurtit kur kishte mbështetur haptas kandidatin demokrat përpara zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, Veser e ka shigjetuar kritikën e tij për të dërguarin e Trumpit.
“Por, intensiteti me të cilin Kurti po sulmohet nga i dërguari i posaçëm i Trumpit për rajonin, ish-ambasadori amerikan në Berlin Richard Grenell, shkon përtej çdo mase të arsyes”, ka shtuar ai.