Gati 8 milionë euro kontratë, brenda 22 muajsh: Prezantohet plani për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
Kompania fituese “Gerber Architekten International GmbH”, ka prezantuar të hënën master planin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Ky plan që do të kushtojë gati 8 milionë euro, parasheh një hapësirë prej 450 hektarë dhe pritet që të realizohet brenda 22 muajve.
Në sallën e hotelit “Emerald” gjatë ditës së djeshme u prezantua master-plani për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kompania gjermane “Gerber Architekten International GmbH”, me seli në Dortmund të Gjermanisë është shpallur fitues e tenderit me vlerë prej 7 milionë e 890 mijë eurove.
Kjo kompani ka prezantuar disa pamje se si do të duket Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.
Sipas këtij plani, shtëpitë e familjes Jashari do të mbështjellën me xham transparent, teksa është parapara që ish-fabrika e municionit të shndërrohet në muze kombëtar të rezistencës. Ky plan parasheh që kompleksi memorial të bëhet një hapësirë multifunksionale.
“Çka duam të bëjmë te shtëpitë e rezistencës është t’i ruajmë ato. Po ashtu t’i vendosim në një format me transparencë të plotë në mënyrë që të shihen të gjitha gjërat. Transparenca e xhamit shkon duke humbur sa më larg që shkojmë.” – ka thënë njëri nga përfaqësuesit e zhvillimit të master planit.
Ndërkaq, ky projekt është paraparë që realizohet brenda 22 muajve.
Puna në hartimin e këtyre planeve dhe projekteve është paraparë të realizohet brenda 22 muajsh. Ndërkaq paralelisht do të iniciohet edhe zbatimi i projekteve të përfunduara.” – ka thënë Nora Arapi-Krasniqi, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të kursejnë asgjë për të ndërtuar këtë plan.
“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri dhe drejtësi, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e familjes Jashari.” – ka thënë ai.
Më tej, Kurti ka thënë se do të sigurohen qe planit të zhvillohet brenda afatit kohor.
“Me kujdes të shtuar e durim, i kemi përcjellë të gjithë hapat deri tani, dhe pas nënshkrimit të Kontratës për Hartim të Master Planit, do të vazhdojmë me veprimet përkatëse për realizimin e Planeve e Projekteve përbërëse të Master Planit. Kemi ndarë burime financiare dhe kemi angazhuar ekip të profesionistëve, në mënyrë që të sigurohemi që Hartimi i Master Planit të zhvillohet me efikasitet e sipas dinamikës së paraparë brenda afatit kohor.” – ka thënë ai.
Gjatë prezantimit të këtij plani morën pjesë edhe anëtarë të familjes Jashari, ministra e përfaësues politik e të tjerë.
Më poshtë mund t’i shikoni pamjet se si do të duket kompleksi memorial “Adem Jashari”:




