Gashi: Koha për dalje nga kriza, jo për monopole – ose marrëveshje, le të flasë qytetari
Deputeti i Lidhjes Demokratike të KosovësArben Gashi, ka reaguar ndaj gjendjes aktuale politike në vend, duke e cilësuar atë si një bllokadë të thellë që po e mban peng funksionimin demokratik të institucioneve.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka akuzuar partinë në pushtet për arrogancë dhe qasje përjashtuese, duke thënë se ajo ka uzurpuar procesin e propozimit për Kryetarin e Kuvendit, pa pranuar asnjë kompromis me opozitën.
“Kosova sot ndodhet në një bllokadë politike që buron nga një pabarazi e thellë: Njëra palë ka monopolin e propozimit; Tjetra ka të drejtën legjitime të votës. Por nuk ka barazi. Nuk ka kompromis. Ka vetëm arrogancë. Partia që kontrollon propozimin për Kryetarin e Kuvendit, dëshiron ta realizojë qëllimin e saj pa asnjë kompromis politik. Kjo është qasje përjashtuese, jo frymë demokratike. Dhe kjo është e papranueshme për ne – dhe për çdo qytetar që beson në barazi politike. Shprehja e Kryeministrit “Hajt, se këta dorëzohen…” nuk është as strategji, as vizion. Është përçmim. Dhe institucionet nuk mund të udhëhiqen me përçmim.” – tha Gashi.
Gashi bëri thirrje për zgjidhje të drejtë dhe të balancuar për daljen nga kriza, duke theksuar se nëse nuk ka marrëveshje, zgjidhja duhet të kërkohet përmes zgjedhjeve.
“Si përfaqësues i qytetarëve, unë nuk mund të hesht. Nuk jemi këtu për të nënshtruar njëri-tjetrin. Jemi këtu për t’i shërbyer Kosovës. Dhe për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë me përgjegjësi, integritet dhe vullnet të qartë për zgjidhje. Kur arroganca bëhet rregull – qytetari duhet të rikthehet si gjykatësi kryesor. O do të ketë zgjidhje me marrëveshje të drejtë, Ose le të flasë qytetari! Zgjedhjet janë zgjidhja burimore në çdo demokraci. Ato janë mënyra më e drejtë, më legjitime dhe më paqësore për t’i dhënë fund kësaj bllokade të dëmshme.” – tha Gashi.