Gashi jep detaje për rastin e Osmanit në Shkup: I dridhej zëri, kërkonte ndihmë – më tha se fëmijët po qanin - NACIONALE

Gashi jep detaje për rastin e Osmanit në Shkup: I dridhej zëri, kërkonte ndihmë – më tha se fëmijët po qanin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ka folur rreth incidentin që e kishte përjetuar presidentje e Kosovës, Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit. Në një prononcim për gazetarë, Gashi ka rrëfyer detaje interesante. Sipas Gashit, presidentes Osmani i dridhej zëri dhe kërkonte ndihmë.

Tutje, Gashi ka deklaruar se Osmani ka thënë se “fëmijët ishin shumë të frikësuar dhe po qanin”.

Më thirri presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dridhej zëri, kërkonte ndihmë. Ajo më tha se kishte probleme në aeroportin e Shkupit dhe se ishte ndarë nga fëmijët që ishin gjithashtu në aeroport. Më tha se fëmijët ishin shumë të frikësuar dhe po qanin. Më duhej të ndihmoja. Nuk e di se cili person nuk do të ndihmonte nëse dikush lutet për ndihmë”, deklaroi Gashi, transmeton Klan Maqedonia.

Në këtë deklaratë para gazetarëve, Gashi ka thënë pa ndonjë moment dyshimi se është i lumtur që e ka penguar një incident të madh.

Nuk e di nëse ndonjëri nuk do të ndihmonte nëse do të kërkohej ndihmë nga ai. Kam reaguar menjëherë dhe jam i lumtur që kam arritur të pengojë incident më të madh. Të gjithë ne duhet t’i respektojmë ligjet. Jam i obliguar me ligj kur duhet të shkojë diku t’i njoftojë anëtarët e sigurmit tim. Doja personalisht të shkoj në aeroport dhe ta zgjidh incidentin por në atë kohë ishte seanca në Kuvend dhe isha i thirrur. Për këtë shkak sigurimi im u dërgua atje, ngase plani ka qenë që personalisht ta zgjidh incidentin”, tha në konferencën me gazetarët Gashi, raporton SHENJA.

Sjellim ndër mend që muajin që shkoi, presidentja Osmani ishte përfshirë në një incident në aeroportin e Shkupit, i cili incident kishte shkaktuar shumë polemika në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Në një komunikatë për media, Presidenca e Kosovës kishte vlerësuar se sjellja e sigurimit ka qenë joprofesionale.

“Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdokund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare”, thuhej nga Presidenca.

Tutje, Presidenca këmbëngulte se në asnjë vend të botës presidentes nuk i kërkohet telefoni për skanim.

“Në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim. Ne shtete të tjera nuk kontrollohet as bagazhi personal e as çanta personale e kreut të shtetit e lëre më telefoni personal. Si Presidencë, kemi përvojë të mjaftueshme edhe me udhëtime të tjera, nuk kemi nevojë ta provojmë, ngase askund, asnjëherë as çanta personale, as valixhja (bagazhi personal) e as telefoni i kreut të shtetit nuk i janë nënshtruar kontrollit. Nga dhjetëra vende që kemi vizituar deri sot, RMV është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit. Siç kemi deklaruar disa herë, presidentja e ka vendosur në kontroll çantën e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike”, thuhet në reagim.

Ndërsa në një reagim të MPJ-së së Maqedonisë së Veriut shprehej keqardhje në lidhje me keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të së enjtes.

“Theksojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut tashmë ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen e djeshme. Pasi të jetë bërë një analizë e duhur e të dhënave të grumbulluara në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen.” – kanë thënë nga MPJ e Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme