Gashi analizon historikun e marrëveshjes për targa: Kosova po e zbaton, por jo Serbia dhe BE-ja
Analisti Shkëlzen Gashi, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka analizuar kronologjinë e marrëveshjes për targa mes Kosovës dhe Serbisë që e ka origjinën nga shtatori i vitit 2016.
Siç shkruan Gashi, nga viti 2018 në Kosovë është dashur të ketë vetëm targa RKS, mirëpo pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë, ai i vë në përgjegjës qeveritë e kaluara në Kosovë, Bashkimin Evropian dhe përfaqësuesit qeveritarë serbë.
Statusi i plotë:
Më 14 shtator 2016, Kosova dhe Sërbia janë dakorduar në Bruksel, për aranzhimet lidhur me finalizimin e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, të nënshkruar më 2 korrik 2011.
Pika 4 e këtij dakordimi thotë se regjistrimi i të gjitha automjeteve me tabelat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës (KS/RKS) do të fillojë më 15 janar 2017 dhe do të zgjasë 12 muaj, e në fund të kësaj periudhe do të ketë një vlerësim nga të dy palët me ndërmjetësim të BE-së.
Pra, pas përfundimit të periudhës 15 janar 2017 – 15 janar 2018, në Kosovë është dashtë të ketë vetëm tabela KS/RKS, e jo edhe tabela PR, KM, PE, PZ, UR, GL, DJ... e që janë të kohës së regjimit të Milošević-it. Pse nuk ka ndodhë kjo? Këtë pyetje duhet shtruar: a) përfaqësueve qeveritarë kosovarë gjatë dekadës së kaluar; b) përfaqësuesve qeveritarë sërbë; dhe c) ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, me theks të veçantë BE-së.
Pika 5 e këtij dakordimi thotë se Kosova do ta zgjasë validitetin e tabelave KS për pesë vite, e në fund të kësaj periudhe, çështja do të shqyrtohet nga të dyja palët (me ndihmën e BE-së nëse kërkohet). Ky afat ka skaduar më 14 shtator 2021. Targat KS nuk duhet të lejohen mbas këtij afati.
Kosova po e zbaton këtë dakordim, saktësisht pikën 6, e cila thotë se Qeveria e Kosovës duhet të garantojë heqjen e taksave dhe detyrimeve për regjistrimin e automjeteve. Po ashtu, Qeveria e Kosovës po e zbaton edhe pikën 7 të këtij dakordimi, e cila thotë se të dy palët (Kosova e Sërbia) dhe BE-ja do të ndërmarrin një fushatë informuese për t’ua shpjeguar banorëve modalitetet për regjistrimin e automjeteve. Këtë pikë po e zbaton vetëm Kosova, por jo edhe Sërbia dhe BE-ja.