"Fushatë zgjedhore", "pasiguri juridike"; njohësit e ekonomisë s'shohin përmirësim të kostos së jetesës nga rritja e pagës minimale
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ngritjen e pagës minimale në 360 euro dhe masat tjera nuk kontribuojnë në zbutjen e krizës së kostos së jetesës. Madje, vendimet e menjëhershme dhe pa konsultim paraprak me Qeverinë e Kosovës kanë shkaktuar konfuzion në kontekstin ligjor.
Këto ishin disa nga leximet e ekspertëve të ekonomisë në dritën e hyrjes në fuqi të ligjit për pagën minimale i cili parashihte rritjen e saj në 264 euro, i cili u pasua me vendimin e të mërkurës nga ekzekutvi për rritjen e saj në 350 euro bruto. Vendimi, njoftoi ministri i Financave Hekuran Murati, hyn në fuqi në tetor të këtij viti.
Sipas Qeverisë, nga ky vendim do të preken rreth 150 mijë të punësuar të cilët punojnë me pagë më të ulët se 350 euro.
“Kjo pagë minimale e re do të prekë mbi 150 mijë të punësuar të cilët me paga më të ulëta se 350 euro në muaj”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Vendimi i Qeverisë u pasua me kritika nga opozita, sindikata dhe njohësit e ekonomisë të cilët e cilësuan shumën “të pamjaftueshme”.
Sipas ekonomistit të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, masat e këtyre ditëve janë ajo çka e ka karakterizuar këtë pushtet të cilat, sipas tij, nuk sigurojnë “ndonjë përmirësim të rëndësishëm apo të qëndrueshëm”.
“Këto masa janë në vazhdën e masave të thata të kësaj Qeverie të cilat i ka ndërmarrë përgjatë gjithë mandatit pa siguru ndonjë përmirësim të rëndësishëm apo të qëndrueshëm të cilësisë së jetës së qytetarit në Kosovë. Tani jemi në prag të fushatës zgjedhore dhe këto veprime të Qeverisë janë pikërisht në kuadër të fushatës zgjedhore që si duket Qeveria e ka filluar më herët”, tha ai në TëVë1.
Duke e krahasuar rritjen e kostos së jetesës me inflacionin që tejkaloi nivele disa-dekadëshe, veprimet e pushtetit nuk përkthehen në “asnjë masë të qëndrueshme apo përmanente” që qytetarët do ti ndihmonin të përballeshin me krizën, vlerësoi koordinatori i departamentit për Financa në PDK.
“Pas katër viteve qeverisje, shohim një ndryshim të politikës fiskale e cila ka efekt 6 euro e 80 cent në pagën e një të punësuari. Pra, kjo na tregon se për çfarë reforma fiskale po flasim apo se çfarë përmirësimi mendon të bëjë kjo qeveri për jetën e qytetarit. Nëse e shohim rritjen e kostos se jetesës që ka ndodhur përgjatë gjithë këtyre viteve, nuk kemi pa asnjë masë të qëndrueshme apo përmanente të kësaj qeverie për ta mbështetur përballimin e këtyre kostove në vazhdimësi nga qytetarët por kemi ndje një ndryshim të politikës fiskale e cila zvogëlon tatim 6 euro e 80 cent”, shtoi ai.
“Nuk jemi t’u e ditë juridikisht çka është t’u ndodh dhe kur është t’u ndodh”, tha Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në anën tjetër referuar rritjes së pagës minimale në 350 euro, kur hiç më larg se dje u tha të ishte rritur për 250 euro, ndërsa për këtë ndryshim, sipas tij, nuk është konsultuar e as bashkërenduar me sektorin privat.
“Jemi në mjegull. E para, merret vendimi për m’u caktu paga 350 euro. Thuhet që paga minimale do të lirohet nga tatimi në të ardhura personale. Për m’u ba një lirim i të ardhurave personale duhet mu bë një plotësim/ndryshim i ligjit për të ardhurat personale. E ndryshimi i ligjit merr kohë”, tha Rafuna.
“Sot nuk ka paralajmëru Hekuran Murati se do të ketë plotësim/ndryshim të ligjit për të ardhura personale. Por, thotë që paga minimale do të hyjë në fuqi prej 1 tetorit. Çka tash? A liriohet prej tatimi ky që ka qenë dje? E dallimi tash ky mes 250 dhe 350, a do të tatimohet? Apo jo? Kemi pasiguri juridike”.
Rafuna e quajti brengosëse vendimmarrjen thjesht-ashtu të qeverisë kosovare, për çka tha se shqetësimi është se “çfarë vendimi do të merret nesër” në këso situatash të pasigurta.
“P.sh: dje e patëm rritjen e pagës në 250, lirimi nga tatimi i të ardhurave personale; ndërsa sot çohesh nëmëngjes dhe e sheh që është vendim i qeverisë me shku në 350. Nesër nuk jemi të sigurt çka ka me ndodh, çfarë vendimi do të sillet nesër. Kështu që është një pasiguri juridike, se çfarë vendimesh do të merren pa u konsultuar me sektorin privat”, tha Rafuna në TV Dukagjini.
“Për neve në sektorin privat është brengosëse moskonsultimi, një procedurë e hapur e transparente, dhe duke marrë parasysh edhe opinionin e biznesit, për t’i dhënë mundësi biznesit për t’u përgatit dhe për ta implementu vendimi që është marrë sot. Dihet që çdo vendim që merret më së miri zbatohet kur mirret në bashkërendim edhe me palët implementuese. Sot vërejtjen e kemi pas te mënyra se si po sillet vendimi, si po sjellin ligjet”, tha Lulzim Rafuna.