Fuqia e Kurtit: Thotë se e di që biseda Kusari - Radoiçiq është e montuar pa e dëgjuar fare, i qëllon edhe sekondat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kaluar në një nivel tjetër.
Ai pa i dëgjuar fare bisedat mes Mimoza Kusarit e Milan Radoiçiq, ka thënë se janë të montuara. Të paktën, këtë deklaratë e dha vetë kryeministri ditën e sotme.
“Unë vetë nuk i kam dëgjuar; mirëpo qytetarët e Kosovës e dinë kush ka bashkëpunuar me Radojçiqin, dhe e kanë shumë të qartë se pse Radojçiqi ik tash e dikur ishte në kryeministri. Për këtë zëdhënësi i VV-së e ka dhënë përgjigjen e saktë”, tha Kurti në fillim.
Vetëm pak sekonda më pas, deklaroi se biseda është e montuar.
“Ajo është një situatë e montuar dhe Radojçiqi këto 9 muaj ndodhet i lirë dhe trysnia në Kosovë duhet të jetë që ndaj tij të ketë aktakuzë dhe të jetë i arrestuar”, tha Kurti.
Krejt në fund të përgjigjes, Kurti e di edhe se inizimi është me sekonda. Pra, a e ka dëgjuar apo jo kryeministri incizimin?
“Po e kuptoj që po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda prej një bisede që nuk e di se si e ku është marrë e si u pre e nga kush u organizua, por, edhe njëherë unë jam kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Mimoza Kusari-Lila nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje; edhe po të ishte anëtare për këso gjëra ka komision disiplinor, sepse VV-ja s’e ka kryetarin diktator që merr ashtu vendime”, tha ai.