Frika nga Abdixhiku, vartësit e Kurtit e kritikojnë Lumirin veç pse ia bëri një pyetje Albinit - NACIONALE

Frika nga Abdixhiku, vartësit e Kurtit e kritikojnë Lumirin veç pse ia bëri një pyetje Albinit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ngritja e Lumir Abdixhikut, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në sondazhe si lideri më i popullarizuar opozitar duket ta ketë frikësuar pushtetin. Frika e Lëvizjes Vetëvendosje nga Abdixhiku u pa edhe sot. E gjitha filloi nga një sfidë personale që Abdixhiku i bëri Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës dhe lider i LVV-së.

Në fakt, sfida e Abdixhikut konsistonte në një pyetje të thjeshtë. Kreu i LDK-së, në një intervistë për KosovaPress, e sfidoi Kurtin të tregojë nëse plani franko-gjerman e ka në qendër njohjen reciproke.

“Ne nuk kemi dokument në tavolinë, s’kemi marrë pjesë në draftimin e dytë. Por tani ajo duhet të dalë para qytetarëve që të dalë para qytetarëve dhe të japë këtë vërtetë. E sfidoj Kurtin që të bëjë një gjë të tillë, të shpjegoj qytetarëve se a do të ketë njohje “de-jure” brenda kësaj marrëveshje dhe a është marrëveshje përfundimtare”, - theksoi z. Abdixhiku për KP, transmeton Nacionale.

Tutje, lideri i LDK-së tha se Kosovës i duhet një marrëveshje finale me Serbinë, e cila në qendër e ka njohjen reciproke mes dy vendeve.

“Neve na duhet një marrëveshje finale e që e ka njohjen pjesë të saj. Brenda kësaj marrëveshje duhet të respektohet Kushtetuta.” – tha tutje z. Abdixhiku.

Përgjigja e lodhët e VV-së

Kryeministri Kurti ende nuk ka kthyer përgjigjë në sfidën personale të Lumir Abdixhikut. Por së paku dy vartës të tij janë deklaruar për pyetjen që e shtroi z. Abdixhiku.

Dy zyrtarë të LVV-së u kujdesën të kthejnë përgjigje. I pari ishte zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, ndërsa e dyta ishte Fitore Pacolli, deputete e LVV-së. Dhe të dy e kritikuan z. Abdixhikun për pyetjen e shtruar në drejtim të Kurtit.

Zëdhënësi i Qeverisë Kurti lë të nënkuptohet që Abdixhiku me vetëdije po i shkakton Kosovës dëm në fazën e ardhshme të negocimit.

“Një kryetar partie duhet të jetë i kujdesshëm kur elaboron propozime që janë në diskutim fillestar, sepse me vetëdije do i shkaktojë vendit të tij dëm në fazën e ardhshme të negocimit.” – shkroi z. Kryeziu.

Ndërsa Fitore Pacolli, deputete e VV-së, e cilësoi pyetjen e Abdixhikut si të “paarsyeshme”.

“Pyetje gjithsesi e paarsyeshme. Kur Lumir Abdixhiku ka qenë në Zyren e Kryeministrit për takim me Kryeministrin Kurti, aty e ka lexuar propozimin evropian (apo franko-gjerman siç e quan ai), andaj vetë Abdixhiku le të tregojë nëse ka aty njohje 'de jure'!? Natyrisht, para se të jetë pyetje e paarsyeshme kjo po që është një sjellje e papërgjegjshme, kur ende s’kanë filluar bisedimet.” – shkroi zonja Pacolli.

Çka tha tjetër Abdixhiku?

Shefi i LDK-së foli edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Në fakt, z. Abdixhiku e komentoi deklaratën e Kurtit se Asociacioni mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje në kontekst të planit franko-gjerman, të cilin shefi i ezkekutivit e ka cilësuar si bazë të mirë.

“Në vizitën në Austri ku bëhet një pranimi që (asociacioni) të jetë pjesë e marrëveshjes dhe mund të jetë pjesë e marrëveshjes. Dhe e dyta në deklaratën e Borrell në mbrëmjen e marrëveshjes së targave ku specifikisht thuhet se palët janë pajtuar që të zbatojnë gjitha marrëveshjet paraprake. Për LDK-në këto qëndrime nuk janë qëndrime të reja këto, pasi ne konsiderojmë se gjitha marrëveshjet paraprake duhet të implementohen brenda kushtetutshmërisë së Kosovës. Por i takon kryeministrit të Kosovës të bëjë një zgjidhje, siç i takon atij të qartësojë pozicionin e vet karshi votuesit dhe qytetarit të Kosovës. Pasi për vite të tëra ai ka mbajtur një qëndrim ndryshe dhe ka marrë mbështetjen qytetare për këtë dhe tani është një obligim moral i tij që për çdo ndryshim në këto qëndrime të bëjë qartë pozicionin e vet para qytetarëve të vendit dhe gjithë spektrit publik në Kosovë…Çështja e marrëveshjes rreth asociacionit ka epilog prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe njerëzve që e donë Kosovën përnjëmend. Ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe në bazë të tij duhet të procesojmë tutje. Tani i takon udhëheqësve shtetëror që të bëjnë këtë procesim tutje”, thotë ai.

Por Abdixhiku vlerësoi se Kosova nuk duhet të përplaset me faktorin ndërkombëtar dhe sipas tij duhet të shmang telashet brenda territorit.

“Kosova nuk duhet të përplaset me faktorin ndërkombëtar në këtë periudhë të tanishme dhe e dyta duhet të fokusohet që mos të ketë telashe brenda territorit të vet. Pasi qasja e pakoordinuar me aleatët tanë ka sjell një situatë të re në veri, ku në emër të sovranitetit kemi më pak sovranitet. Pra sot në veri ka më pak sovranitet që ka pasur gjashtë muaj më parë. Tani nuk kemi policë atje, as prokurorë, gjykatës dhe nuk kemi as komuna”, thotë Abdixhiku.

Lajme të ngjashme