Tatuazhe e këngë me çiftelia: Dashuria e çuditshme e kosovarëve për Kurtin, Thaçin, Rugovën e Abdixhikun - NACIONALE

Tatuazhe e këngë me çiftelia: Dashuria e çuditshme e kosovarëve për Kurtin, Thaçin, Rugovën e Abdixhikun

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Politikanët e Kosovës, varësisht nga fuqia e tyre politike, kanë popullaritet të lartë. Ndonësë kritikohen shumë, ata kanë ndjekës besnikë e madje disa prej tyre edhe militantë, që janë të gatshëm të linçojnë publikisht këdo që kritikon të preferuarin e tyre nga politika. Por kosovarët kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të treguar dashurinë e tyre ndaj lidërevë.

Tatuazhe, vetura me fytyrën e politikanëve e këngë janë disa prej mënyrave se si kosovarët shprehin dashurinë e tyre për udhëheqësit e partive politike. Aktualisht më i popullarizuari ndër politikanë është Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministër i Kosovës. Tashmë ekzistojnë disa persona që kanë tatuazh fytyrën ose emrin e Kurtit.

Por së fundmi edhe Lumir Abdixhiku ka filluar të ketë simpatizantët e tij besnikë, aq sa njëri nga ta ka bërë tatuazh emrin e tij. Edhe presidentja Vjosa Osmani ka simpatizantë të mëdhënj. Ndër të gjallit, por jo aktiv në politikë, më së shumti simpatizantë ka Hashim Thaçi, fytyra e të cilit pushon e qetë në krahun e një gruaje si tatuazh.

Përveç të gjallëve, kosovarët e shprehin dashurinë edhe ndaj liderëve të vdekur. Ibrahim Rugova është pa fije dyshime më i popullarizuari lider ndër të vdekurit.

Tatuazhet

Tatuazhet janë forma goxha e shpeshtë, me të cilin kosovarët shprehin dashurinë e tyre për politikanin e preferuar. Një qytetar nga Ferizaj me emrin Shiqeri Ramadani nuk ka ngurruar të shpreh dashurinë e tij (supozojmë të sinqertë) ndaj Kurtit. Ai e bëri tatuazh portretin e Kurtit dhe një thënie të tij “Unë kurrë nuk mbijetoj. Unë jetoj edhe atë fuqishëm”.

Por i njëjti qytetar duket të ketë një dashuri edhe për krahun e LDK-së. Së paku për Vjosa Osmanin, pasi fytyrën e të cilës e bëri tatuazh në krahun tjetër. Nëpërmjet tatuazhit, Ramadani bashkoi të majtën dhe të djathtë, një gjë aq shumë të dëshiruar nga e gjitha bota.

Kurti u krahasua shpesh me Hasan Prishtinën, atdhetar i shquar i çështjes kombëtare. E Naim Tërbunja, kampion boksi në Suedi, e bëri tatuazh gjysmën e fytyrës së Kurtit dhe gjysmën e fytyrës së Hasan Prishtinës, duke shkruar “dy liderë, një ideal”.

Së fundmi, në vallen e liderëve aktivë që kanë simpatizantë me tatuazhet e tyre, hyri edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së. Një qytetar e bëri tatuazh emrin e Abdixhikut dhe të LDK-së: “LDK, Lumir”, gjë e cila nuk i pëlqeu aktivistit të LVV-së, Enis Sulstarova, i cili shkroi se qytetari duhet ta bëjë në krahun tjetër tatuazhin “PDK, Memli”.

Edhe Hashim Thaçi, ish-president i Kosovës, ka simpatizantë të flaktë. Së paku një grua e ka një tatuazh me fytyrën e tij. Suzana Tahiri, modelja kosovare, deklaronte se tatuazhi me fytyrën e Thaçit ishte bërë si befasi për presidentin Thaçi në Ditën e Pavarësisë.

Këngët…

Në vitet e pasluftës, folklori kosovar ka shërbyer si hapësirë për të treguar dashurinë ndaj politikanëve. Janë disa politikanë, kryesisht të ardhur nga provinienca e luftës, që kanë tashmë këngë. Dhe të gjithë janë ende të gjallë.

Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj janë dy ish-komandantë të luftës të cilëve iu këndohet këngë për së gjalli. Janë së paku 4 këngë në të cilat këndohet për të bëmat dhe jetën e Thaçit, ish-president i Kosovës e ish-epror i UÇK-së, që tash nuk është më aktiv në politikë për shkak të arrestimit nga Gjykata Speciale.

Haradinaj ka disa këngë në emër të tij, më e njohura nga të cilat është padyshim ajo e Gold Ag “Nuk ka gjyq që m’gjykon”.

Natyrisht, këngë ka edhe në emër të Albin Kurtin. Fadil Llugaxhiu, këngëtar, i këndon Kurtit këngën me titull “Kryeministri jone ALBIN KURTI”, që ka marrë plot 130 mijë shikime në Youtube.

Edhe në çështjen e këngëve, Ibrahim Rugova përsëri është lideri më i padiskutueshëm nga të vdekurit. Atij i janë dedikuar disa këngë, përfshirë një ngaAdelina Ismaili, këngëtare e njohur, e cila i këndonte ushtrisë së Rugovës, njeriut që ishte ithtar i palëkundur i politikës paqësore.

Por është një këngë që përdorët për t’u kënduar për secilin lider. “Të fala Parisit, të Berlinit” është kënga që vazhdimisht keqpërdoret, duke e zëvendësuar emrin e secilit politikan, varësisht preferencës. Ajo i është kënduar Kadri Veselit, Ramush Haradinajt, Albin Kurtit, Hashim Thaçit e bile edhe Sali Berishës, ish-president i Shqipërisë.

Natyrisht, edhe “aubat” e veturave janë mjete me të cilat shprehet dashuria e qytetarëve të Kosovës ndaj politikanëve, veçanërisht ndaj Kurtit.

Lajme të ngjashme