Fondi që nuk “shihet”: Askush s`e di sa para derdhi populli për ushtri - NACIONALE

Fondi që nuk “shihet”: Askush s`e di sa para derdhi populli për ushtri

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Janë bërë gati një vit nga themelimi i Fondit për Siguri dhe askush nuk e di se cila është shuma e parave të mbledhur gjatë kësaj kohe.

Në mars të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti u kishte kërkuar qytetarëve dhe donatorëve që të kontribuojnë në Fondin për Siguri, por për gati një vit ai nuk ka dhënë asnjë informacion për shumën e parave të mbledhur në këtë fond.

Nën petikun e fondit sekret, qeveria ka refuzuar të jap çfarëdo informacioni rreth këtij fondi.

Klasifikimi i fondit si sekret ka nxitur reagime dhe kritika të shumta.

Për shumen e parave të mbledhur në këtë fond nuk kanë asnjë informacion as dy komisionet parlamentare që merren me çështje të sigurisë në vend.

Kryetarja e Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, ka thënë për gazetën Nacionale se qeveria qëllimshëm e ka bërë këtë fond sekret.

Sipas saj, kjo është bërë për të mos dhënë askush llogari.

Fondi i Sigurisë është themeluar në atë formë që mos të jetë transparent dhe mos të jap askush llogari për të. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse e kam kundërshtuar formën e themelimit të këtij fondi. Unë e kam kundërshtuar fuqishëm formën se si është bërë ky fond edhe në Kuvend edhe në çdo paraqitje ku jam pyetur”, ka thënë Musliu.

Ajo ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti iu ka ikur pyetjeve të deputetëve të cilat kanë pasur të bëjnë me këtë çështje.

Edhe në seancën kur u votu Ligji për Buxhetin për vitin 2023 e kam pyetur Kryeministrin se a janë inkorporuar mjetet e Fondit të Sigurisë në Buxhet dhe s’kam marre përgjigjeje. Kështu që as unë e asnjë deputet tjetër i Kuvendit nuk e din se çka ka ndodhe me atë Fond.”, ka thënë Musliu.

Deputetja Musliu ka thënë se fondi nuk është bërë për të ndihmuar sigurinë e vendit. “Ky fond nuk është bërë për t`i ndihmuar sigurisë së vendit. Prandaj, për të lehtësuar keqpërdorimin e të hyrave në atë Fond, e kanë klasifikuar si top sekret. Deri sa Fondi i Sigurisë nuk vjen në Kuvend të rregullohet me ligj të veçantë ai mund të jetë vetëm një plaçkë e Qeverise ndaj xhepave edhe ashtu të varfër të qytetareve të cilët kanë dëshirë që Ushtrinë e Kosovës ta shohin të fortë e të mirëorganizuar”, ka thënë Musliu.

As kryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, i cili e ka përkrahur formimin e këtij fondi, nuk ka ndonjë informacion rreth këtij fondi.

Ai ka thënë për gazetën Nacionale, se në të ardhme do të kërkojë nga Qeveria që të këtë më shumë transparencë për këtë çështje.

Nuk na kanë informuar sepse fondi nuk ka qenë transparent deri me tani. Ne do kërkojmë në të ardhmen që ky fond të bëhet transparent”, ka thënë Berisha.

Shumë biznesmen, deputetë dhe zyrtarë kontribuuan në fond

Me publikimin e vendimit për themelimin e këtij fondi, shumë afaristë, politikanë e deputetë treguan shumat e parave me të cilat do të kontribuojnë në këtë fond.

Shumën me të madhe për këtë fond e kishte ndarë kompania “Devolli Corporation”. Përmes një njoftimi, kjo kompani kishte treguar se në fondin e sigurisë do të kontribuon me 500 mijë euro.

Edhe afaristi i njohur Ardian Hoxha kishte thënë se gjatë vitit 2022 për çdo muaj do të dhurojë në këtë fond nga 10 mijë euro.

Presidenti i klubit futbollistik Gjilani, Florim Zuka, i cili është edhe pronar i kompanisë “Tali Shpk” kishte ofruar 50 mijë euro.
Kurse, kompania “Frutex” e biznesmenit Shaqir Palushi ishte zotuar se për fondin do t`i ndajë 10 mijë euro.

Përveç afaristëve, të gatshme për ta përkrahur fondin ishin shprehur edhe disa deputetë. Deputetja VV-së, Fjolla Ujkani, ishte zotuar se do t’i japë 5 mijë euro nga kursimet familjare. Kurse, dy kolegët e saj partiak, Alban Bajrami dhe Fitim Haziri, ishin zotuar se do ta jepnin një pagë të tyre për fondin. Dhurimin e pagës e kishte premtuar edhe deputetja e Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Albana Bytyqi.

Ndër të parët që ishte zotuar se për fond do ta jep pagën e tij, ishte kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

Indiferenda ndaj fondit nuk kishte qëndruar as këngëtari dhe humanisti Labinot Tahiri. Ai ishte zotuar se për këtë fond do të ndajë 5 mijë euro.

Qeveria e Kosovës, më 2 mars, kishte vendosur ta themelonte Fondin e Sigurisë. Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti kishte kërkuar nga qytetarët dhe donatorë që të kontribuojnë në këtë fond.

Fondi është menaxhuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ndërsa është ishte paraparë që mjetet e grumbulluar të alokohen në Ministrinë e Mbrojtjes për shfrytëzim si buxhet shtesë.

Lajme të ngjashme