Shërbimi i detyrueshëm ushtarak, Fondi, programi – Çka duhet të dini për strategjinë e Kurtit për Sigurinë? - NACIONALE

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak, Fondi, programi – Çka duhet të dini për strategjinë e Kurtit për Sigurinë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Lufta në Ukrainë dhe situata e paqëndrueshme në gjithë Evropën, ka rikthyer vëmendjen e shumë liderëve shtetëror kah ushtria. Një gjë e tillë po ndodh edhe në Kosovë. Së fundi, edhe me Fondin e Sigurisë të krijuar nga Ekzekutivi. Por qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, për sigurinë në përgjithësi dhe ushtrinë në veçanti, ka folur shpesh. Duke nisur që nga programi qeverisës. Cila është kjo strategji?

Në 61 faqet e programit të Qeverisë, një faqe e plotë i dedikohet edhe politikave të mbrojtjes, por ku flitet me terme më të përgjithshme. Në anën tjetër, në programin e Vetëvendosjes, në faqe 39, partia e Kurtit që garonte për të marrë pushtetin e plotë në Kosovë fliste më konkretisht për fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Bashkëpunimi me Amerikën e bashkëpunimi me NATO-n, ishin prioritete.

“Ne do t’i japim përparësi gatishmërisë luftarake të FSK-së, ashtu siç e ka misionin dhe detyrën. Qeverisja jonë do t’i orientojë politikat e mbrojtjes në zhvillimin e kapaciteteve për të përmbushur detyrën parësore të FSK-së, atë të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial”, thuhet në programin e Vetëvendosjes.

Se e ka prioritet ushtrinë, kryeministri e kishte bërë të ditur edhe në intervistat e rralla ku ai merrte pjesë. Aty, kishte shpalosur planet për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

“Do ta bëjmë ushtrinë 6 muaj, 3 muaj verës dhe 3 muaj dimrit. Ne do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm vetëm nëse do të pajtohen (të rinjtë), përndryshe do të kenë shërbim civil. Kemi kohë në 2021 ta planifikojmë buxhetin për vitin tjetër, por do ta rishikojmë buxhetin aktual menjëherë dhe do ta sjellim në Kuvend në legjislaturën e ardhshme”, kishte thënë Kurti në RTV Dukagjini.

Ushtria

Në praktikë përkrahjen ndaj ushtrisë, kryeministri Kurti e pati rikonfirmuar me buxhetin për vitin 2022, duke ndarë për FSK-në rreth 100 milionë euro. Mjete të cilat sipas projekt-buxhetit do të ndahen për blerjen e autoblindave, kamionëve taktikë, armatimit dhe pajisjeve të tjera të nevojshme.

E për këto investime në ushtri, tash ekziston edhe një mundësi shtesë. Pas situatës së krijuar mes Ukrainës dhe Rusisë, qeveria ka krijuar “Fondin e Sigurisë”. Në këtë situatë të tensionuar globale, arka që po mbushet nga biznesmenë e qytetarë si ndihmë për FSK-në, pritet të ketë një ndikim të caktuar në zhvillimin ushtarak të Kosovës.

“Është një zhvillim pozitiv, me efekt në madh në misionin e ushtrisë tonë. Këto mjete do të ndikojnë në blerjen e armatimit dhe pajisjeve të nevojshme ushtarake, për rritjen e gatishmërisë së FSK-së. Nëse kemi mjete, ka shumë shtete që kanë industri ushtarake që prodhojnë, dhe janë të interesuar që t’i shesin ato mjete”, është shprehur për Gazetën Nacionale ish-komandanti i shtabit të UÇK-së, Agim Çeku.

Çeku, i cili ka qenë edhe udhëheqës i TMK-së pas luftës dhe gjithashtu ministër i FSK-së, komenton më tej planet e Kurtit për ushtrinë dhe rrugën drejt NATO-s.

“Koha është ashtu dhe kryeministri duhet të flasë edhe më shpesh për këto tema, dhe mendoj që duhet të reflektojmë në këtë situatë të krijuar dhe ta fuqizojmë ushtrinë tonë. Është momenti i duhur dhe duhet të intensifikojmë përpjekjet, pasi është koha, dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO është kontribut për fuqizimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”.

Për krijimin e Fondit të Sigurisë, kryeministri e ministri i mbrojtjes, bënë të ditur paraprakisht se janë konsultuar edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Kujtojmë se në vitin 2021, Serbia ka ndarë buxhet prej rreth 1.5 miliardë dollarësh amerikanë, për blerjen e armatimit dhe pajisjeve ushtarake.

Lajme të ngjashme