Fjalimi vjetor i presidentes në Kuvend, PDK e AAK sërish nuk marrin pjesë në seancë
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të marrin pjesë në seancën ku presidentja Vjosa Osmani pritet t’i adresohet Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e ka bërë ende me dije qëndrimin e saj.
Fjalimi i presidentes Osmani, këtë vit do të zhvillohet në rrethana më ndryshe, duke parë mosmarrëveshjet e shumta që kanë dalë në pah mes saj dhe Qeverisë Kurti.
Partia Demokratike e Kosovës në anën tjetër, mëngjesin e së enjtes ka dalë me një komunikatë për media, ku ka njoftuar arsyet pse ka marrë një vendim të tillë.
“Grupi Parlamentar i PDK-së refuzon edhe këtë vit pjesëmarrjen në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Vjosa Osmani, ngase e njëjta ka vazhduar të sillet me mospërmbushje shqetësuese të rolit dhe funksionit të saj kushtetues.
“Znj. Osmani si presidente duke qenë njëkohësisht edhe udhëheqëse e politikës së jashtme ka dështuar përfundimisht në realizimin e ndonjë suksesi të vetëm në përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës. Si presidente, nuk ka arritur që Kosovës t’i siguroj qoftë edhe një njohje të vetme, siç ka dështuar në fushën e antarësimit të vendit në ndonjë organizatë ndërkombëtare.” – thuhet në njoftim.
Sipas grupit parlamentar të këtij subjekti politik, Osmani është sjellur në shpërputhje me rolin e saj kushtetutes, dhe ka demonstruar njëanshmëri ndaj kryeministrit Albin Kurti.
“Znj. Osmani edhe në vitin e katërt të mandatit të saj, ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit duke demonstruar njëanshmëri ndaj Albin Kurtit. Ndërkaq, edhe si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka heshtur përballë skandalit të pashembullt të dështimit të sigurimit të ushqimit për ushtrinë tonë”.
Sipas PDK-së, kontributi i vetëm i Osmani në këto katër vite, është zbehja e rolit të presidentit dhe promovimi i gjuhës përçarëse në skenën politike.
“Fatkeqësisht, kontributi i vetëm i saj në këto katër vite është zbehja e rolit dhe rëndësisë së institucionit të Presidentit si dhe promovimi i gjuhës polarizuese dhe përçarëse në skenën politike. Një presidente e tillë e cila e redukton pozitën e Institucionit të Presidentit si një mekanizëm për akomodimin e interesave familjare dhe partiake nuk e meriton respektin e Grupit Parlamentar të PDK-së”.
Ndërkohë, mospjesmarrjen nga AAK-ja e kanë konfirmuar për Nacionalen.
“Deputetët e AAK-së nuk do të marrin pjesë në seancën ku presidentja i adresohet Kuvendit.” – ka thënë zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili.
Seanca e adresimit të Osmanit pritet të fillojë nga ora 09:30.
PDK dhe AAK e kanë refuzuar pjesëmarrjen edhe gjatë viteve të kaluara ku Osmani mbante fjalim para deputetëve, LDK në anën tjetër, ka qenë e ndarë ku disa deputetë kanë marrë pjesë, dhe disa të tjerë kanë refuzuar pjesëmarrjen.