Fjalët e sikletshme të Kurtit për Javën e Krenarisë: Përmend Lidhjen e Prizrenit por asnjëherë LGBT-në - NACIONALE

Fjalët e sikletshme të Kurtit për Javën e Krenarisë: Përmend Lidhjen e Prizrenit por asnjëherë LGBT-në

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tashmë, ka nisur Java e Krenarisë, dhe në hapje të saj i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti që e mbajti një fjalim të gjatë... e të sikletshëm. Çka tha e çka nuk tha Kurti?

“T’du qashtu qysh je!” – është motoja e Javës së Krenarisë sivjet në Kosovë. Vëllezërit e motrat tona në Shqipëri, do ta përkthenin “Të dua, ashtu si je!”

Ceremonia hapëse iu besua Zyres për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, por vetë kryeministri ishte i çuditshëm në fjalën e tij.

Asnjëherë LGBT

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti nuk e përmendi asnjëherë komunitetin LGBT megjithëse kjo javë i dedikohet pikërisht këtij komuniteti.

Ai aty në fakt, do të përmendte madje edhe Lidhjen e Prizrenit, lirinë e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Por, jo edhe komunitetin LGBT.

“Këtë vit, Java e Krenarisë, e gjashta me radhë, po festohet në një muaj shumë domethënës, në të cilin shënohen edhe ngjarje të rëndësishme të historisë sonë. Prej 10 qershorit të Lidhjes së Prizrenit, një lidhje politike, lëvizje kombëtare e themeluar në 1878. E më 12 qershor e kemi edhe përfundimin e një lufte të gjatë dhe të rëndë, e cila solli lirinë e paqen, por edhe lëvizjen e Kosovës për më shumë zhvillim e më shumë demokraci.”

Dashuria çliroi Kosovën

Kurti i dha një dimension politik dashurisë edhe më tutje, duke i ikur denoncimit të shtypjes që i bën shoqëria pjesëtarëve të komunitetit LGBT.

Lexojeni fjalinë e radhës:

“Përballë vuajtjeve që mund të duken të pakapërcyeshme, sikurse lufta dhe okupimi i huaj, Dashuria ka qenë një forcë fuqizuese dhe bashkuese në betejën për çlirimin e Kosovës.”

Ok, dashuria ka çliruar Kosovën. Por, në këtë rast po flitej konkretisht për dashurinë në komunitetin LGBT. Po flitej për pengimin e vazhdueshëm të asaj dashurie.

“Andaj, unë ju përgëzoj që Java e Krenarisë është përqendruar te dashuria.” – vazhdoi tutje, në mënytë paternale kryeministri Kurti.

Miti i Aristofanit

Ai shpërndau në anglisht një tekst nga Simpoziumi i Sokratit: Mitin e Aristofanit. Ai ishte miti i gjysmës që mungon. Pra, një shpjegim se pse tërhiqemi nga personi i seksit tjetër apo të njëjtë.

Nuk dihet se për çfarë arsyesh e shpërndau këtë tekst. Në Greqinë antike, homoerotizmi sidomos mes burrash ishte dukuri shumë e zakontë. Kryeministri nuk ka lexuar mjaftueshëm? Mund të jetë.

Menjëherë sapo e përfundoi leximin e këtij teksti, ai vazhdoi me:

“Shkëlqesia juaj Vjosa Osmani Sadriu, presidente e Republikës së Kosovës, Të nderuar shkëlqesi ambasadorë, Jeffrey Hovenier, ambasador i Shteteve të Bashkuar të Amerikës...”

Zero denoncim

Në fjalimin e kryeministrit nuk ndodhen askund fjalët shtypje apo shkelje, që do ta përshkruanin gjendjen e këtij komuniteti në vendin tonë.

Kurti madje, lavdëron shoqërinë kosovare në fund të fjalimit të tij duke thënë se ajo ka mundësi të respektojë njerëzit edhe për nga identifikimi gjinor apo orientimi seksual.

“Duke u thirrur në frymën e ngazëllimit, duhet të kuptojmë, me modesti, se në zemrën e popullit tonë të dashur, gjendet besimi ynë se të gjithë individët meritojnë respekt dhe të drejta të plota të njeriut, pavarësisht nga raca, feja, etnia, identifikimi gjinor apo orientimi seksual.” – thotë Kurti.

Në fakt, siç e kishin dëshmuar disa seanca të Kuvendit të Kosovës, një gjë të tillë nuk mund ta bëjnë as vetë disa deputetë të partisë së tij në Kuvendin e Kosovës.

P.S.

Postimin e tij për Javën e Krenarisë, pjesëmarrjen e tij në këtë ceremoni, kryeministri Kurti e kishte bërë në 12 të natës dhe përsëri vetëm në Twitter.

Raportimi nga ngjarja prej Anita Nikajt:

Lajme të ngjashme