‘Fjalë të buta si krofne’: Kush nga AAK ishte që të shkonin në darkë me Kurtin?
Besnik Tahiri i AAK-së, thotë se Kosova po e humb shansin për Këshillin e Evropës dhe sipas tij, askush nuk po e bën të madhe këtë punë. Ai thotë se – personalisht – ishte që AAK të shkonte në darkën me Kurtin. Por, Ardian Gjini nga e njëjta parti, e quan fjalorin e Kurtit dhe Krasniqit pas darkës ‘fjalë të buta si krofne’ dhe ishte kundër që të shkohej në darkë.
“Frika është se 9 qershori është dita e zgjedhjeve për parlamentin evropian, të gjitha indikacionet tregojnë për një rezultat zgjedhor në Parlamentin Evropian shumë të çuditshëm dhe potencialisht të disfavorshëm për Kosovën.
E patëm në dorë KiE-në. Thojke nuk e kam pranu Asociacionin, me sytë e mi, e ke letrën e nënshkrume prej tre liderëve që thotë do ta zbatojmë Marrëveshjen e Ohrit dhe Asociacionin.
Tre liderë kanë nënshkru, kanë thënë jemi të gatshëm me e zbatu.
Sa i përket darkës, e kam një qëndrim personal, refuzimi i komunikimit ndër partiak, kanë thënë kolegët e mi në parti, nuk na ka përfillë, është një argument, në anën tjetër sa herë e refuzon, e redukton përkushtimin, e ke reduktu trupën elektorale.
Kur e kemi diskutu në parti, mu vec nja dy argumente më kanë mujtë, i pari qysh na me shku për agjendë legjislative me folë, kjo nuk është punë e jona.
Nuk është temë e jona kjo.
Nuk e kam luftën me PDK-së, as me Memli Krasniqin, as nuk e gjykova që ka shku.
Kam kritikë për neve, ti kur e redukton komunikimin, veprimin politik, diskutimin politik, e redukton trupën elektorale.
Memli ka pasë agjendë të qartë, agjenda e tij është publike – shpërbërja. Kjo nuk bëhet me neve, kjo bëhet me VV-në”, thotë Tahiri në Click, përcjell Nacionale.

Por, Ardian Gjini nga e njëjta parti, në Debatplus, tregoi pse kjo parti ishte kundër që të shkohej në darkën e Kurtit.
“Pas deklaratave që janë dhënë edhe nga kryeministri Kurti edhe nga Krasniqi, disa fjalë të buta si krofne, nëse qëllimi ka qenë me e pru që mos me u pa koalicioni si i pamundshëm është ok.
Kur e bojmë një veprim politik, nuk është vetëm çka kemi thënë me gojë, mesazhi politik shkon vetëm pse është taku dikush me dikë, shpesh politikanët sulmohet vetëm pse u taku dikush me dikë.
Mesazhi më i thjeshtë që ka shku, është që një bashkëpunim i tillë nuk është i pamundshëm më.
Nuk shihet më e pamundshme”, thotë Gjini.

Për herë të parë në një paraqitje publike, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu edhe zyrtarisht dëshirën e tij që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Madje, Kurti foli edhe për stinën kur është më mirë që të mbahen zgjedhjet. Tha se pranvera e vjeshta, janë kohë ideale. Por që, u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën për caktimin e datës.
Krejt këto zhvillime ndodhën në një darkë që kryeministri Kurti e pati me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por janë çështje të muajve. Edhe unë jam i interesuar ta diskutojë me opozitën se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Në përgjithësi janë pranvera dhe vjeshta më të përshtatshme për zgjedhje por nëse shkon mandati deri në fund do të mbahen në dimër. Por nuk dua që për këtë ta imponojë vullnetin tim. Debatin le ta bëjmë në kuadër të fushatës zgjedhore, ndërkohë që jemi pajtuar për datën e zgjedhjeve. Darka ka zgjatur shumë, por nuk jemi parë kaherë dhe kishim shumë gjëra për të diskutuar. Duhet të diskutojmë më të gjitha subjektet politike dhe të shohim se cila është data që pajtohemi më së shumti pë zgjedhje”, ka thënë ai.
Ngjashëm për zgjedhje të parakohshme u deklarua edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Është evidente që unë dhe Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe ndonjëherë preokupimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë preokupimet e kryeministrit. Nga takimet që kemi në çdo cep të Kosovës ne nuk jemi në gjendje të mirë. Kosova është në agoni, kemi ekonomi të stagnuar, kemi rritje enorme të çmimeve me paga dhe pensione të vogla që nuk iu mjaftojnë familjeve kosovare ta lidhin muajin me muaj. Kemi shëndetësi që është në gjendje të rëndë, arsim të degraduar dhe politikë të jashtme pothuajse inekzistente. Për më shumë një parlament jofunksional ku barten pikat nga muaji në muaj. Tani kemi edhe situatë të rënduar edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në KiE. Si duket do të jetë dështim. Ja shpreha edhe Kurtit që duhet përshpejtuar puna për t’u dhënë zgjidhje këtyre temave. PDK e ka nominuar edhe kandidatin për kryeministër, por për të arritur deri aty duhen zgjedhje parlamentare”, ka thënë kryetari i PDK-së.