Fjalë gjysmake: Çka (s’)po thotë Kurti që nga e premtja?
Në një kohë kur dënimet ndaj veprimeve të qeverisë kosovare s’ka qenë mbase kurrë më të ashpra, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur të luajë kartën e heshtjes me publikun. Që nga e premtja kur me forcë u morrën godinat zyrtare të tre komunave të banuara me shumicë serbe, ndonëse kërkesa e QUINT’it ishte të mos u mësyhej objekteve ku tre kryetarët e rinj “mund të mos ishin të dëshiruar “ dhe “objektet e paqasshme”, Kurti është deklaruar tri herë zyrtarisht dhe njëherë shkurtazi nga një media që ia preu udhën.
“E kemi mbështetjen ndërkombëtare, mirë janë punët”, i tha ai gazetares pas (së paku) një birre krudo që kishte pirë në një kafene në Pejë.
Një deklarim i tillë mund të lexohej edhe si shpërfillje totale ndaj jo vetëm deklarimit të përbashkët të pesëshes së QUINT’it, por edhe ndaj komunikatës së lëshuar personalisht nga Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili e dënoi fuqishëm vendimin e Kurtit si “masë të dhunshme” e cila “duhet të ndalohet menjëherë”; veprime këto të cilat, sipas Blinken, “do të lëndojnë marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës”.
Ky deklarim i Blinkenit, Kurtit, qe tri ditë, del të mos ia kenë lënë shenjë. Në zgjedhjet ku asnjëri nga tre kryetarët nuk morrën as më shumë se 200 vota, Kurti ia ktheu në argumentin e kushtetuetshmërisë dhe ligjshmërisë. Kemi ligje, i tha Kurti atij. Sa i përket marrjes me forcë të objekteve komunale, veprim ky që u dënua nga ShBA, Kurti e siguroi top-diplomatin amerikan se “ato janë të Republikës”.
Një shpërfillje kaq e plotë ndaj ShBA’së, duke qenë ShBA’ja vetë garantuesja e kësaj Republike në termat e integritetit territorial dhe të sovranitetit, në veçanti në pjesën veriore të vendit, kishte qenë e padëgjuar më parë.
“Rendi dhe ligji, demokracia dhe lëvizja e lirë, siguria dhe paqja, mund dhe duhet të ecin krah për krah. Për këto angazhohemi çdo ditë dhe në përpikëri”, shkroi Kurti pas reagimit brutal të ashpër të Blinken’it.
Deklarimi tjetër gjysmak i Kurtit ishte me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pasi ky i fundit bisedo me Sekretarin Gjeneral të NATO’s, Jens Stoltenberg, ku që të dy këto të fundit i bënë thirrje kryeministrit “të mos merr vendime të njëanshme dhe destabilizuese”.
Borrellit, siç njoftoi Kurti në Twitter, i tha shkurt dhe prerë: kryetarët do të kryejnë shërbimet për të gjithë qytetarët, ndonëse pjesa veriore e vendit i ka ndëprerë të gjitha shërbimet e tyre, edhe mësimet në shkolla, për të protestuar kundër kryetarëve të rinj të zgjedhur me 3% të pjesëmarrësve (shqiptarë) dhe afro 13 votues serbë gjithsejt.
“Pata një bisedë telefonike me Josep Borrell në lidhje me çështjet aktuale, përfshirë ato pas zgjedhjeve në katër komunat veriore. I theksova se kryetarët e zgjedhur do të kryejnë shërbime për të gjithë qytetarët. E rëndësishme të intensifikohet dialogu për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike”, shkroi Kurti.
Bazuar në atë që është shkruar, Kurti lë të kuptojë se situata në veri është çfarë është për shkak të moszbatimit të marrëveshjes nga Serbia. Këtë koment ai e lëshoi pas mesnatës të së dielës, e ku të hënën pasdite, pas protestave të mëdha, do ta shkruante në një sintaksë edhe më të qartë – në një bisedë me kryediplomatin italian.
Sërish në një cicërimë, Kurti e renditi fjalinë kësisoji: Zbatimi i Marrëveshjes, Qetësimi i Situatës.
“Pata një bisedë me kryediplomatin itatlian Antonio Fajani sot më herët. Që të dy u pajtuam që koha e tashme thërret për zbatim të Marrëveshjes Bazë dhe situata të jetë e qetësuar”, shkroi ai.
Në krejt këtë konfuzion dhe paqartësi, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas reagimit të dytë brutal e dënues të QUINT’it ndaj autoriteteve të Kosovës, e thirri në takim ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. “Situata është thellësisht brengosëse”, tha ambasadori.
“Qeveria e ShBA-së, por edhe ato të vendeve të QUINT-it, e kanë potencuar se sa e rëndësishme është që zyrtarët të hyjnë në institucionet shtetërore pa përdorimin e forcës. Ky mbetet akoma qëndrimi ynë. Edhe me kryetarët e diskutuam se si mund ta kryejnë detyrën e tyre dhe t’u shërbejnë qytetarëve, sidomos pa pasur nevojë për forcë që të hyjnë në institucione”, tha ambasadori këtë të hëne.
Kurti, nesër ka paraparë të jetë në Bratislavë të Sllovakisë për të marrë pjesë në një forum për të diskutuar rrugën e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.