“Fjala iu dha grupeve të huliganëve” – reagime të ashpra pasi s’u lejua mbajtja e festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë më 27 qershor urdhëroi që edicioni i 11-të i Festivalit “Mirëdita, Dobar Dan” të mos mbahej, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë. Ky veprim ka shkaktuar shumë reagime, përmes të cilave është kritikuar ashpër Qeveria e Serbisë.
Pas ndalimi të festivalit “Mirëdita Dobar Dan” ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti përmes një postimi në platformën e tij në Tëitter, ka kritikuar Qeverinë në Beograd, ai ka shkruar se në vend të artistëve, Serbia fjalën ua ka dhënë grupeve të huliganëve.
“Pasi refuzoi edhe një herë nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore të lehtësuar nga BE-ja, të miratuar nga SHBA-ja, Serbia mbylli të enjten një nismë tjetër të sponsorizuar nga BE, festivalin e “Mirëdita, Dobar Dan”. Një festival kulturor me një histori dhjetëvjeçare të festimit të diversitetit dhe bashkimit të artistëve nga Kosova dhe Serbia, “Mirëdita, Dobar Dan” u rrëmbye nga ZKM i Serbisë Vulin dhe MPB Dacic, të cilët e deformuan atë, përtej njohjes, në një paradë groteske të urrejtjes dhe mesazhe diskriminuese. Në vend të artistëve, fjala iu dha grupeve të huliganëve.” - ka shkruar Kurti.
Sipas kryeministri të Kosovës, me këtë veprim Serbia edhe një herë ka treguar se është kundër paqes.
Reagim për ndalimin e mbajtjes së këtij festivali erdhi edhe nga Bashkimi Evropian, ku zyra në Serbi e ka quajtur zhgënjyese.
“Zhgënjyese kur mësuam se festivali “Mirëdita, Dobar Dan” i financuar nga BE-ja, që zhvillohet që nga viti 2014, u ndalua sot. Kjo iniciativë e lavdërueshme e OSHC-ve ndërton ura ndërmjet popujve, një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të normalizimit Beograd-Prishtinë.” - thuhet në reagimin e tyre.
Për mos mbajtjen e festivalit, reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, nga MPJD-ja në Kosovë kanë thënë se ndalimi i këtij festivali është bërë me urdhër të ish-zëdhënësit të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, aktualisht Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daqiq.
Duke shtuar se kjo është dëshmi e vazhdimit të politikës, mendësisë dhe veprimeve të regjimit të kaluar.
“Këtë fushatë të egër publikisht e nisi njeriu i listave të zeza dhe ish shefi i BIA, Vulin, të cilit pastaj iu bashkua ai që duhej të ishte në krye të organizimit të festivalit dhe mirëvajtjes së tij, Ministri i Kulturës, Nikola Selakoviq. Kjo dëshmon qartë se si regjimi autoritar i presidentit serb Vuçiq funksionon, dhe se ky regjim është vazhdimësi besnike e politikave, mendësisë dhe veprimeve kriminale të regjimit të Millosheviqit.” – thuhet në reagim.
Gjithashtu nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë se kjo vërteton se Serbia është kundër cdo lloj dialogun me Kosovën.
“Ky vendim i qeverisë serbe vërteton edhe një herë se qeveria serbe është kundër çdo lloji dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojnë me gjuhën më të ashpër veprime të tilla të autoriteteve të Serbisë për ndalimin e festivalit i cili është mbajtur 10 herë, në Kosovë dhe Serbi dhe që kishte për qëllim të bashkonte artin, kulturën, aktivistë të të drejtave të njeriut e të paqes dhe që synonte të krijonte ura bashkëpunimi dhe nxiste ndërtimin e paqes në rajon.”
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi po përcjell nga afër të gjitha zhvillimet e fundit dhe do t’ju njoftojë në kohë reale për zhvillimet e reja mbi këtë çështje.” – thuhet ndër të tjera në reagim.