"Financial Times": Serbia po i mbështet dërgesat e municionit në Ukrainë - NACIONALE

"Financial Times": Serbia po i mbështet dërgesat e municionit në Ukrainë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk është kundër shitjes së municionit ndërmjetësve që e dërgojnë atë në Ukrainë, shenjë që aleatja e palëkundur e Moskës është duke u kthyer nga Perëndimi, raporton prestigjiozja “Financial Times”.

Vuçiqi tradicionalisht e ka mbështetur Moskën dhe ka refuzuar që të hyjë në vijë me sanksionet perëndimore kundër Rusisë pas fillimit të luftës së saj në Ukrainë. Megjithatë, si një ndryshim drejtimi, presidenti serb tha se është i vetëdijshëm për raportimet e qeverisë amerikane se municioni serb ka përfunduar në Ukrainë përmes palëve të ndërmjetme dhe se ai nuk ka plane për ta ndalur këtë, raporton gazeta e njohur.

“A është e mundshme që kjo është duke ndodhur? Nuk kam dyshim se mund të ndodhë”- i tha Vuçiqi gazetës “Financial Times”. “Cila është alternativa për ne? Që të mos e prodhojmë (municionin)? Të mos e shesim?”- shtoi ai.

Rrejdha që po e kanalizon municionin serb për në frontin ukrainas ka qenë një faktor kritik në një ndryshim të dukshëm, përderisa ShBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja rishtazi e mbështetën Serbinë gjatë rritjes së tensioneve etnike në Kosovë, sipas tre diplomatëve perëndimorë në rajon.

Kur u pyet nëse ky është hap i qëllimshëm për ta fituar miratimin e kryeqyteteve perëndimore, Vuçiqi këmbënguli se Beogradi synon që të veprojë në mënyrë neutrale.

“Por unë nuk jam budalla. Jam i vetëdijshëm se disa prej armëve mund të përfundojnë në Ukrainë”- shtoi ai.

Vuçiqi pranoi se ishte duke ecur mbi litar mes Moskës dhe fuqive perëndimore, por tha se nuk do ta ndihmojë përpjekjen e Rusisë në luftë. “Ne iu bashkuam të gjitha rezolutave të OKB-së”- tha ai, duke iu referuar deklaratave të Kombeve të Bashkuara që e dënojnë pushtimin rus të Ukrainës. “Ne i bashkohemi ndalimit të rieksportimit, si (teknologjia) përdorimi i dyfishtë në dronë... Ne nuk do të jemi qendër për rieksportimin e diçkaje në Rusi”- tha ai.

Presidenti serb shtoi se kohërat kur ai fliste me homologun rus, Vladimir Putin, për çdo tre muaj kishin marrë fund, duke vënë në pah se nuk ka qenë në kontakt me Kremlinin për një vit me përjashtim të pranimit të mysafirëve nga Moska. “Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë”- tha ai.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, i tha gazetës “Financial Times” se Ukraina tejkalon çdo çështje tjetër në Evropë dhe sidomos në Ballkan, ku Rusia ka pasur tradicionalisht ndikim.

“Ukraina është absolutisht kritike dhe jemi në një pikë ku të gjitha duart duhet të jenë në kuvertë”- tha ambasadori Hill. “Kur njerëzit janë në anije, marrëdhëniet bëhen më të mira”- shtoi ai.

Lidhjet e fuqishme të Serbisë me Rusinë dhe potenciali i tyre për ta penguar sigurinë rajonale kanë ndikuar që kryeqytetet perëndimore të zbatojnë një qëndrim më të butë ndaj Beogradit, sipas kompanisë për inteligjencë të mbrojtjes, “Janes”.

“Duke e marrë parasysh rrezikun për eskalim ushtarak në pjesën veriore të Kosovës, qeveritë perëndimore nuk duan që të rrezikojnë për të pasur një konflikt tjetër në Evropë”- thanë analistët e kësaj kompanie, Stefano Marras dhe Ines Gonzalez.

Vuçiqi tha se nuk pret ndonjë rezultat të rëndësishëm në pjesën veriore të Kosovës, ku dhuna shpërtheu muajin e kaluar, kur serbët lokalë u munduan që ta bojkotonin zgjedhjen e disa shqiptarëve etnikë për kryetarë pas zgjedhjeve të kontestuara.

Lajme të ngjashme