Fillon votimi në ambasada, mërgata ia mësyn kutive të votimit
Mërgata e Kosovës ka nisur votimin nëpër përfaqësi diplomatike të vendit nëpër Evropë. Komisioni Zgjedhor i Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media dhe ka mbajtur konferencën e parë, ku ka shpjeguar për mbarëvajtjen e votimit të mërgatës.
I gjithë procesi i votimit ka nisur në ora 07:00. Sipas KQZ-së, votimi do të zhvillohet në 43 vendvotime, të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme.
Tutje, KQZ-ja ka treguar edhe numrin e përgjithshëm të votuesve të regjisturar në mërgatë.
“Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 20,324 votues” – ka shkruar KQZ-ja.
“Përfaqësitë diplomatike në të cilat ka filluar procesi i votimit në orën 07:00, sipas kohës lokale në Kosovë, janë: Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankurt – konsullatë; Duseldorf – konsullatë; Munih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Hamburg – konsullatë); Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); Mbretëri e Bashkuar (Londër – ambasadë); Belgjikë (Bruksel – ambasadë); Austri (Vjenë – ambasadë); Francë (Paris – ambasadë; Strasbourg – konsullatë); Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); Turqi (Stamboll – konsullatë); Norvegji (Oslo – ambasadë); Slloveni (Lubjanë – ambasadë); Suedi (Stokholm – ambasadë); Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); Kroaci (Zagreb – ambasadë); Holandë (Hagë – ambasadë); Çeki (Pragë – ambasadë); Hungari (Budapest – ambasadë); dhe Maqedoni e Veriut (Shkup – ambasadë)” – ka njoftuar KQZ-ja.
Në lidhje me votimin në ambasada dhe përfaqësi të tjera të Kosovës në mërgatë, Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në një video, ajo ka shkruar si mbishkrim “ju dua fortë”.
“Cyrih. Ora 08:04, temperatura -1 gradë.
Ju dua shumë, aq sa nuk po di ta përshkruaj me fjalë” – ka shkruar Gërvalla.
Në një video tjetër nga Aeroporti i Prishtinës, Gërvalla e ka cilësuar këtë ditë si historike.
“Ditë vërtet historike. Për herë të parë, mërgata voton në misionet tona diplomatike. Për Kosovën, për demokracinë dhe të ardhmen e saj.
Emocion i papërshkrueshëm dhe përgjegjësi e madhe.
Ky është shteti ynë, kjo është Kosova jonë – e ndërtuar me gjak e sakrificë, me mund e dashuri!” – ka shkruar ajo.
Siç shkroi Nacionale, Gërvalla, ndonëse ka katër vjet që jeton dhe punon në Kosovë, është regjistruar si votuese jashtë Kosovës. Një burim brenda MPJD-së i ka thënë gazetës Nacionale se kryediplomatja e Kosovës vitin e kaluar ka zgjedhur që të regjistrohet si votuese jashtë Kosovës.
Në momentin e regjistrimit online, ajo i është paraqitur KQZ-së si shtetase e Kosovës që jeton jashtë vendit, ndërsa nga marsi i vitit 2021 Gërvalla është zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.
Gazeta ka mësuar se ajo pritet të votojë më 8 shkurt në një përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Gjermani. Me një veprim të tillë kryediploatja duket se e ka mashtruar KQZ-në, meqenëse ajo nuk jeton jashtë Kosovës.