'Fillimi i fundit?': Akulli i detit Antarktik bie në nivel rekord, alarmohen shkencëtarët - NACIONALE

'Fillimi i fundit?': Akulli i detit Antarktik bie në nivel rekord, alarmohen shkencëtarët

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Akulli i detit Antarktik ka arritur nivele të ulëta rekord për herë të dytë në dy vjet, me disa shkencëtarë të alarmuar se rënia dramatike është një shenjë se kriza klimatike tani mund të ketë ndikim më të gjerë dhe kompleks në rajon.

Sipas Qendrës Kombëtare të të Dhënave të Dëborës dhe Akullit, ose NSIDC, akulli i detit që rrethon Antarktidën ka rënë në 1,91 milionë kilometra katrorë më 13 shkurt, nën rekordin e mëparshëm prej 1,92 milionë kilometra katrorë që ka qenë më 25 shkurt të vitit të kaluar.

Dy vitet e fundit shënojnë të vetmen herë që nivelet e akullit të detit janë ulur nën 2 milionë kilometra katrorë që kur satelitët kanë filluar monitorimin në vitin 1978.

Ndryshe nga Arktiku, ku shkalla e humbjes së akullit të detit ka ndjekur një trajektore mjaft të qëndrueshme në rënie ndërsa ndryshimet klimatike përshpejtohen, shtrirja e akullit të detit Antarktik është lëkundur lart e poshtë, duke e bërë më të vështirë të kuptohet se si kontinenti dhe oqeani rrethues janë duke iu përgjigjur ngrohjes globale.

Sipas studiuesve, mund të jenë disa faktorë që kanë ndikuar në arsyen se pse niveli i akullit të detit ka rënë kaq shumë, përfshirë erërat, rrymat dhe nxehtësinë e oqeanit.

Dihet se kohët e fundit, temperaturat e ajrit kanë qenë më të larta se zakonisht në pjesë të Antarktikut, me rreth 1.5 gradë Celsius mbi mesataren afatgjatë.

E ndërsa kjo rënie nuk ndikon drejtpërdrejt në nivelet e detit, sepse tashmë është duke lundruar në oqean, humbja e skajit të akullit të detit rreth Antarktikut i lë shtresat e akullit bregdetar dhe akullnajat të ekspozuara ndaj valëve dhe ujërave të ngrohta të oqeanit, duke i bërë ato shumë më të prekshme ndaj shkrirjes dhe shpërbërjes.

Shkencëtarët po ashtu kanë paralajmëruar se një peizazh i ndryshuar i Antarktidës mund të ketë ndikime të rëndësishme në jetën e egër, nga mikroorganizmat dhe algat që mbështesin zinxhirin ushqimor, duke ndikuar te balenat e rajonit dhe te pinguinët dhe fokat që mbështeten në akullin e detit për ushqyerje dhe pushim.

Lajme të ngjashme