FBI-ja gjen dokument të ri të klasifikuar në shtëpinë e ish-nënpresidentit Pence - NACIONALE

FBI-ja gjen dokument të ri të klasifikuar në shtëpinë e ish-nënpresidentit Pence

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka gjetur një dokument të ri të klasifikuar gjatë kërkimit në shtëpinë e ish-nënpresidentit Mike Pence në Indiana.

Kjo gjetje vjen pas zbulimit të dokumenteve të tjera nga avokatët e tij, të cilët kanë thënë se kanë gjetur “një numër të vogël” të dosjeve të klasifikuara në shtëpinë e tij muajin e kaluar.

Një këshilltar i ish-nënpresidentit konfirmoi se dosje shtesë janë larguar nga shtëpia pas një “kërkimi të plotë e të pakufizuar”, raporton televizioni BBC.

“Departamenti i Drejtësisë kompletoi një kërkim të plotë e të pakufizuar për pesë orë dhe largoi një dokument me shenja të klasifikimit dhe gjashtë faqe shtesë pa shenja të tilla, të cilat nuk ishin zbuluar në rishikimin fillestar nga avokati i nënpresidentit”- tha këshilltari Devin O’Malley.

Kërkimi u krye nga agjentët e FBI-së nga Indianapolisi dhe tash për tash nuk është i lidhur me hetimet për dosje të tjera të klasifikuara, raportoi televizioni CBS.

Më herët, dosje të klasifikuara janë gjetur edhe në shtëpinë e presidentit Joe Biden e në një pronë luksoze të ish-nënpresidentit Donald Trump.

Trumpi ballafaqohet me hetime për shkelje kriminale nën dyshimin për trajtim jo të duhur të dokumenteve të klasifikuara, ndërsa presidenti Biden ballafaqohet me hetime nga Departamenti i Drejtësisë.

Në janar, përfaqësuesit e ish-nënpresidentit Pence dërguan një letër në Arkivat Kombëtare, duke i njoftuar se kanë gjetur dokumente të klasifikuara në shtëpinë e tij.

Lajme të ngjashme