“Favorizim i mafisë energjetike”: Shumë reagime pas rritjes së çmimit të rrymës për 16% - NACIONALE

“Favorizim i mafisë energjetike”: Shumë reagime pas rritjes së çmimit të rrymës për 16%

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sot u konfirmua edhe zyrtarisht se çmimi i rrymës do të jetë 16% më i shtrenjtë. Për të gjithë konsumatorët, pa dallim.

ZRrE-ja njoftoi se kështu ka vendosur në mbledhjen e sotme.

Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka thënë gjatë mbledhjes së Bordit se kanë shqyrtuar ankesat dhe kanë analizuar shkaktarët e rritjes së kostos së shërbimit.

“Në detaje i kemi analizuar shkaktarët kryesore që kanë të bëjnë me rritjen e kostos shërbimit. I kemi 4 shkaktarë që kanë ndikuar, ndryshimet në kostot e blerjeve të energjisë nga furnizuesi me shërbim universal, ndryshimet në kostot e blerjes të energjisë nga operatori i sistemit të shpërndarjes, parashikimi i çmimeve të energjisë dhe importeve për 2025 dhe parashikimi për koston e shërbimeve ndihmëse për operatorin e sistemit të transmetimit. Në vlerësimet e 2025 është parashikuar edhe import pasi njësitë gjeneruese janë në planifikim të mirëmbajtjes”, ka thënë ai.

Ky vendim, shkaktoi reagime të mëdha në publik.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se në këtë mënyrë, u favorizua mafia energjetike.

“Vendimi i sotëm i Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e sërishme të çmimit të rrymës është një tjetër goditje për qytetarët e Kosovës dhe një favor i hapur për klikën mafioze energjetike të instaluar nga kjo qeveri. ZRrE-ja, e cila është kthyer në një instrument në duart e Qeverisë Kurti, sot ka konfirmuar se nuk vepron më në interes të konsumatorit, por është shndërruar në mekanizëm për të justifikuar vjedhjen dhe keqpërdorimin në tregun e energjisë. Aferat me shitblerjen e rrymës nuk janë më vetëm dyshime, për to tashmë ka të dyshuar konkretë, njerëz të afërt me kryeministrin! Ndërkohë që shumë familje mezi përballojnë faturat, këta vazhdojnë të pasurohen përmes rrugëve të paligjshme dhe të turpshme. Ata ata që janë zhytur në këto afera do të japin llogari para drejtësisë”, tha Haradinaj.

Reagoi ashpër edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

“ZRRE është shndërruar në mashën përmes së cilës Qeveria në largim po e godet drejtpërdrejt qytetarin. Po e varfëron, po e lodh dhe po përpiqet ta nënshtrojë. Sepse mendësia e kësaj kaste nuk është të qeverisë, por të sundojë, e një popull i shtyrë drejt varfërisë, sundohet më lehtë. Por jo, Albin. As nuk ke me na nënshtru, e as nuk ke me na sundu. Sepse ky popull e ka ngritë zërin edhe në kohë më të vështira, e do ta bëjë sërish”, shkroi Çitaku.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se qeveria e cila mashtroi, tash po godet qyetatarët sërish.

“Kjo ndodh kur ke një kryeministër si Albin Kurti e një ministre si Rizvanolli, të cilët që katër vite mbrojnë Nagipat e Martinat; kur ke një bord të ZRRE-së të ndikuar nga partia në pushtet që majë fitimet e KESCO-s dhe të KEDS-it; një ZRRE që ruan sekretin financiar të këtyre kompanive dhe në emër të kostove të operimit - lexo fitimit rrit çmimin e energjisë elektrike për të tretën herë. Vendimi i fundit i ZRRE-së me bekimin e Qeverisë, për të rritur çmimin e energjisë elektrike për 16%, është i papranueshëm. Ky vendim është barrë e papërballueshme për qytetarët e vendit, e në veçanti për ata që e kanë gjendjen ekonomike jo të mire”, ka shkruar ajo.

“Rritja prej 16% prek të gjitha familjet, bizneset, sektorin publik pa përjashtim. Familjet me të ardhura të ulëta, që mezi e përballojnë muajin, tani do të paguajnë më shumë për çdo kilovat të harxhuar, por edhe për çdo produkt të blerë, sepse bizneset do të përballen me kosto më të larta, e kjo do të reflektohet menjëherë në çmimet e produkteve dhe shërbimeve që ato ofrojnë. Pra, kjo barrë e dyfishtë bie mbi qytetarët, e para; përmes faturave të rritura të energjisë dhe e dyta; përmes çmimeve më të larta për ushqim, transport, veshmbathje dhe shërbime të tjera bazike për jetë”, tha Bajrami.

Edhe zyrtari tjetër i LDK-së, Visar Azemi, pati një reagim të ashpër.

“Rritja e çmimit të rrymës për 16% nga Qeveria në largim, është akt i pastër kriminal Ky vendim është kulmi i një mashtrimi të madh energjetik që po i bëhet qytetarëve të Kosovës. Pas katër vitesh skandalesh, dështimesh dhe vjedhjesh, Qeveria Kurti 2 po i transferon kostot e korrupsionit dhe paaftësisë së saj te qytetarët e Kosovës. Janë me dhjetëra miliona euro të shpenzuara në emër të subvencioneve që përfunduan në xhepat e mafisë energjetike më në krye Martin Berishaj dhe Nagip Krasniqi, njerëz të afërt me pushtetin në largim. Paratë që duhej të investoheshin në kapacitete të reja prodhuese, në energji të pastër, apo në stabilitet të furnizimit, u zhdukën në tenderë të manipuluar dhe në afera që asnjëherë nuk u hetuan seriozisht”, ka shkruar Azemi.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha se VV-ja po e “shpërblen” qytetarin për votat.

“Me dhe për popullin shtrenjtim të rrymës elektrike. Populli voton LVV. LVV në mënyrë meritore dhe me veprime konkrete sigurohet ta "shpërblej" popullin me varfëri. Militantat dhe shërbëtoret e pushtetit sot dhe ditët në vazhdim duhet të dhezin motorat me propaganda”, ka shkruar Miftaraj.

Kurse, analisti Imer Mushkolaj ia kujtonte VV-së postimet e kohëve më parë, ku kritikonin çmimin e rrymës.

“Ky është një reagim i Vetëvendosjes para 10 vjetësh. Si me qenë i shkruar sot, për gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale, me të cilën po përballen qytetarët. Qeverisja e Albin Kurtit sot ua vështirësoi jetën qytetarëve edhe ma shumë, duke ua shtrenjtu rrymën plus 16 për qind. Cep më cep!”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme