Falet Fitër Bajrami: Urime gjithë besimtarëve myslimanë - NACIONALE

Falet Fitër Bajrami: Urime gjithë besimtarëve myslimanë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Është falur namazi i festës së Fitër Bajrmit. Në hytben e këtij namazi, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, është përqendruar të sakrifica që kanë bërë besimtarët gjatë muajit të ramazanit.

Ai ka thënë se gjatë këtij muaji të gjithë ishin bashkë në adhurime, falje e lutje.

Gjatë muajit Ramazan, besimtarët përveç që shprehën përkushtimin ndaj Krijuesit, duhet përmendur se agjërimi i bëri ata, por edhe komunitetin e shoqërinë, më të ndjeshëm, më solidarë, më humanë e më social. Nimetet dhe begatitë e agjërimit me të cilat Zoti xh.sh. i furnizoi besimtarët ishin të mëdha e të shumta. Gjatë një muaji të tërë ishim si asnjëherë tjetër bashkë në adhurime, falje e lutje. Ishim bashkë në syfyre e në iftare, vizituam familjarë, farefis e miq, treguam solidaritet, mbështetje, respekt e dashuri. Shtëpitë, lagjet e xhamitë tona përjetuan në formën më të mirë gjallërinë, të shoqëruar me ibadete me më të dashurit tanë, me miq e farefis”, ka deklaruar ai.

Ai ka bërë me dije se mësimet e këtij muaji besimtaret duhet t`i shoqërojnë edhe në muajit në vazhdim.

Nimetet, mësimet e porositë e muajit të bekuar Ramazan, duhet të na shoqërojnë edhe në muajt e tjerë, e para prej tyre është kujdesi ndaj familjes, ruajtjes së saj, si dhe rritës dhe edukimit të drejtë të saj. Vetëm një familje e shëndoshë dhe e edukuar mirë, është themeli për një komunitet e shoqëri me vlera e parime fisnike. Familja te populli ynë, në vazhdimësi ka qenë institucioni më i vlerësuar e më i çmuar, vlera këto të cilat duhen trasuar e ruajtur me xhelozi edhe te brezat e rinj. Atakimi i vlerave mbi të cilat është ngritur familja te ne, nuk është në të mirën tonë dhe të popullit tonë. Po ashtu, e kemi obligim që ta ruajmë e ta ngremë vendin tonë aty ku e meriton ai”, është shprehur ai.

Ndër të tjera, ai ka ftuar besimtarët mysliman që në cdo kohë të bëjnë më të mirën për vendin e tyre.

Sipas tij, asnjëherë nuk duhet harruar sakrifica që është bërë për lirinë e vendit.

Ka dashtë Zoti që tash e sa vite vendi ynë është i lirë e i pavarur, mirëpo është obligim yni që vendin tonë ta ndërtojmë e ta bëjmë me perspektivë, një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët tanë të rriten të sigurt e të marrin edukim e arsimim cilësor, një vend ku sigurojmë vende pune e jetesë të dinjitetshme. Dikur lirinë e vendit e kishim ide e projekt, ndërsa tani falë sakrificës shekullore të popullit , tash e sa kohë shtetin tonë e kemi realitet, por, si qytetarë të këtij vendi, e kemi obligim që ta bëjmë më të mirën për vendin tonë, që ta bëjmë atë të jetueshëm për të gjitha kategoritë e shoqërisë”, është shprehur Tërnave.

I pari i myslimaneve të Kosovës ka ftuar qytetarët e Kosovës që të mos e lëshojnë vendin.

Sipas tij, largimi nga Kosova nuk është zgjidhje.

Braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë botë nuk e ka qëllim e mision vetëm anën materiale. Dashtë Zoti që vendi ynë, me angazhimin tonë, të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet”, ka vlerësuar Tërnava.

Lajme të ngjashme