“Fajde, terrorizëm, keqpërdorim”: Vëllezërit e familjarët e njerëzve të VV-së që kanë probleme me ligjin
Gjatë tërë ditës është raportuar në lidhje me problemet ligjore të Ajvaz Muzaqit, që është djali i axhës së deputetit të VV-së, Besim Muzaqi. Muzaqi, jo deputeti, por Ajvazi, u arrestua nën dyshimet për fajde, ndërsa deputeti i VV-së deklaroi se ai është i pafajshëm deri në konfirmimin e të kundërtës. Por me fajde ka problem edhe një familjar tjetër i një zyrtari të VV-së, ndërsa një tjetër akuzohet për terrorizëm. Kush janë familjarët e njerëzve të VV-së që kanë probleme me ligjin?
Le të fillojmë nga rasti më i freskët, ai i Ajvazit, djalit të axhës së Besim Muzaqit. Në një përgjigje për medie, z. Muzaqi e konfirmoi se e ka kushërir të parë, pra djalë të axhës.
“Po meqenëse juve ju intereson unë po ju tregoj. Ajvaz Muzaqi është kushëriri jem i parë, e dyta ai, është i dyshuar dhe nuk është ende fajtor sepse fajtor mund të jetë kur Gjykata ta shpallë vendimin. Tjetra, që dua ta them ty dhe kujtdo tjetër është se unë i inkurajoj organet e drejtësisë edhe organet e ndjekjes që secilin që i shkel ligjet ta vë para drejtësisë dhe ta marrë vendimin meritor. Unë e kam familjar, e kam edhe tjera fotografi të tjera përveç asaj sepse e kam familjar. Unë nuk marrë përgjegjësi për askënd që është mbi 18 vjet, nuk e kam as obligim as ta ngarkojë.” - ka thënë deputeti Muzaqi.
Madje, Muzaqi nuk ka treguar se ku është takuar për herë të fundit me z. Ajvazin.
“Me të thanë të drejtën është shumë e pandershme prej atyre që mundohen t’i lidhin rastet në bazë afërsisë familjare. As unë nuk e kam zgjedhur Ajvazin me pas kushëri, as ai mua. Unë nuk e ndikoj as drejtësinë as askënd. Kushëri i parë është djali i axhës. Kur e kam taku për herë të fundit? Këtë nuk mundem me ditë, por mund të jetë vonë, por nuk ka rëndësi kur takohen djemtë e agjës. Ju lus për korrektësi,” - ka thënë ai për Nacionale.
Me fajde ka probleme edhe vëllai i Blerim Sallahut, zëvendësministër i Drejtësisë. Siç raportonte Sinjali, Rahim Sallahu ka probleme me drejtësinë që disa vite, pasi, sipas raportimi, ai është i dyshuar për vepra të rënda, përfshirë fajdenë.
“Rrahimi, ka dalë para drejtësisë para se vëllai i tij të bëhej zëvendësministër. Akuzohet për vepra të rënda përgjatë viteve 2011-2015. Sallahu në dy raste akuzohet për fajde, kurse në një rast tjetër për armëmbajtje pa leje.” – shkruante Sinjali.
Për këto raportime, z. Sallahu, që e udhëheq me procesin e vettingut, shkroi se përgjegjësia është individuale.
“Rasti i përfolur është i vitit 2012;
As atëherë e as sot unë nuk jetoj e nuk kam jetuar me vëllaun;
Në periudhën në fjalë, madje nuk kam qenë fare as në Kosovë, me ç’rast kam qenë për studime jashtë vendit;
Edhe sipas parimeve ligjore, kushtetuese e ndërkombëtare, unë jam përgjegjës vetëm për veprimet e mia personale dhe përgjegjësia është tërësisht individuale dhe vetëm individuale!” – shkruante ai.
Edhe një vëlla i një deputeteje ka problem me ligjin. Është fjala për vëllain e deputetes Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, Ilirin, i cili është pushuar nga Ministria e Drejtësisë. Madje, atë e kishte pushuar vetë z. Sallahu.
“Sapo kam nënshkruar vendimin për pushim nga detyra të përmbaruesit privat z. Ilir Mulhaxha. Komisioni Disiplinor për Përmbarues Privat ka gjetur shkelje disiplinore pasi që i njëjti gjatë kryerjes së veprimeve përmbarimore në kuadër të aktivitetit të tij, nuk iu ka përmbajtur ligjit, në lëndën e përmbarimit, dhe si rrjedhojë është shqiptuar masa disiplinore, shkarkim nga detyra.” – shkruante z. Sallahu, ndaj të cilit shkarkim kishte reaguar edhe vetë i shkarkuari, Ilir Mullhaxha.
Sigurisht, nuk duhet harruar të përmendet edhe kunati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Muhamet Krasniqi, i njohur si komandant Malisheva, është i dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të terrorizmit, pasi ishte përfshirë në ngjarjen ku mbetën disa të vrarë në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë.
Ndërsa, Hazir Krasniqi, vëllai i bashkëshortit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte dënuar për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”. Madje, siç shkruante Nacionale, ai kishte marrë leje për punë në biznes pasi iu ndryshua qendra e paraburgimit. Natyrisht, Shërbimi Korrektues i Kosovës e kishte mohuar të ketë pasur ndikim të ministres në krejt këtë, ndërsa kjo e fundit na foli shumë shkurt.


