Evropa Veriore goditet nga stuhia “Otto”, mbyllet ura Danimarkë – Suedi - NACIONALE

Evropa Veriore goditet nga stuhia “Otto”, mbyllet ura Danimarkë – Suedi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Banorët e disa blloqeve të banimit në Danimarkë janë evakuuar, ura që e lidh Suedinë me Danimarkën është mbyllur dhe qarkullimi i trageteve norvegjeze është ndërprerë, pasi stuhia “Otto” po kalon nëpër pjesën veriore të Evropës.

Në pjesën jugperëndimore të bregdetit norvegjez, shpejtësia e erës ka arritur deri në 145 kilometra në orë, ndërsa parashikuesit e motit në Danimarkë kanë lëshuar paralajmërim me ngjyrë të portokalltë për Gadishullin e Jutlandit.

Një kompani strehimi në Kopenhagë ka zhvendosur 280 banorë nga tri blloqe banimi, duke paralajmëruar se era e fuqishme mund t’u shkaktojë dëme. Banesat e viteve pesëdhjetë kanë një mangësi në dizajn dhe nuk mund t’u rezistojnë erërave të fuqishme.

Stuhia “Otto” i ka goditur edhe Skocinë dhe pjesën veriore të Anglisë, duke lënë disa shtëpi pa rrymë, raporton televizioni BBC.

Stuhia së pari i goditi Danimarkën dhe pjesën jugore të Norvegjisë, duke e prekur zonën bregdetare, Rogaland, dhe duke i detyruar autoritetet në pjesën bregdetare norvegjeze që t’i mbyllnin shkollat më herët. Qarkullimi i trageteve mes Danimarkës e Norvegjisë është ndërprerë.

Policia në Jutlandin Verior ka thënë se kulmet e ndërtesave janë dëmtuar rëndë dhe se, për shkak të numrit të madh të incidenteve, policët kanë mundur të përgjigjen vetëm për disa situata kritike. Autoritetet paralajmëruan kundër kryerjes së udhëtimeve të panevojshme.

Përderisa stuhia lëvizi drejt lindjes, ura “Oresund”, që e lidh Danimarkën me Suedinë, u mbyll gjatë periudhës me qarkullim të ngarkuar në mbrëmje.

Shërbimet e trenave mes qyteteve Malmo e Gothenburg janë anuluar, ndërsa drejtuesve të automjeteve u është bërë thirrje që të mos bëjnë udhëtime të panevojshme.

Radioja suedeze raportoi se aeroplani i kryeministrit të Suedisë u detyrua që të kthehej dhe të bënte ulje emergjente në aeroportin “Arlanda” të Stokholmit para gjatë pasdites së të premtes para se të shkonte në Gjermani. Megjithatë, faji për këtë ulje iu la një alarmi të rremë për frenat e aeroplanit dhe nuk kishte shenja se stuhia ishte e përfshirë në incident.

Lajme të ngjashme