Eskobari dhe Lajçaku sot raportojnë tek eprorët, Kurti ende pa përgjigje për kërkesat e tyre
Emisarët perëndimor për dialogun Kosovës-Serbi sot pritet të raportojnë te eprorët e tyre për vizitën që kanë realizuar gjatë kësaj në Kosovë dhe Serbi për shtensionimin e situatës në veri, raporton gazeta Nacionale.
Ndonëse Gabriel Escobar dhe Miroslav Laçak kanë paralajmëruar se sot do të raportojnë para Shtëpisë së Bardhë, respektivisht Josep Borrellit, Qeveria e Kosovës, te paktën publikisht, ende nuk ka kthyer një përgjigje në kërkesat e tyre.
Gjatë vizitës në Kosovë, emisarët kanë kërkuar përgjigje në tri kërkesat: Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog të palëve.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se qeverisë së Kosovës nuk i është dhënë ndonjë ultimatum për këto kërkesa, por refuzimi i tyre mund të sjell pasoja.
Ai ka treguar se pas raportimin të tyre me situatën SHBA-ja dhe BE-ja pritet të marrin vendime për Kosovën.
“Së bashku me Lajçakun kemi thënë se pas kësaj vizite, unë do të raportoj të premten në Shtëpinë e Bardhë për të informuar se çfarë po ndodh lidhur me zhvillimet e fundit, do të raportoj nëse ka progres apo jo. Edhe Lajcak do të raportojë te Borrell. Nuk është afat, por për mua janë hapat e ardhshëm dhe bazuar në raportin tim, ne do të marrim një vendim”, ka thënë Escobar.
Analisti Visar Ymeri ka thënë se kryeministri Kurti e ka për obligim t`i jep një përgjigje bashkësisë ndërkombëtare në kërkesat e tyre.
“Me sa kam parë unë, në publik nuk ka dalë një përgjigje e qartë e kryeministrit se çka po do më bo. Janë tri kërkesa që vijnë nga miqtë tanë ndërkombëtar. A iu thu ‘po’ a ‘jo’, a iu thu ndonjërës ‘po’ e ndonjërës ‘jo’, ose qysh ki me ia bo. Unë kisha pritë që kryeministri i Kosovës me e pasë përgjegjësinë, le të jetë qëndrimi qysh do ai me e pasë, por se paku përgjigjeje që këtë kërkesë me e trajtu seriozisht edhe me e diskutu në kuvend, në qeveri. Sepse kjo nuk mundet me qenë vullnet vetëm i një njeri”, ka thënë Ymeri në emision “Debat Plus”.
Ai ka deklaruar se këtë përgjigje kryeministri duhet ta jap në një konferencë për media.
“Nëse s`po pajtohet me miqtë tanë, se paku respektoi dhe dil me një konferencë për shtyp dhe tregoi popullit të Kosovës dhe miqve tanë cila është përgjigja e jote dhe pse? Mendoj se kështu duhet të vepron një lider i një shteti”, ka thënë Ymeri.
Kurti i paqartë
Deri me tani kryeministri Albin Kurti nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të qartë në tri kërkesat e SHBA-së dhe BE-së. Kur është pyetur nga gazetarët për këtë temë, ai i ka ikur përgjigjesh.
Në adresimet e tij ai ka vazhdimisht ka përmendur sundimin e ligjit si domosdoshmëri për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Këtë qëndrim e ka dhënë edhe mbrëmë pas bisedës telefonike që ka pasur me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly.
“Për sa i takon rrugës përpara drejt deeskalimit të plotë ai tha se sundimi i ligjit duhet të jetë hapi dhe parimi bazë. Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira e demokratike, dhe një fushate parazgjedhore të hapur dhe fer, theksoi kryeministri”, është thënë në komunikatën për media të Zyrës së Kryeministrit.
Pothuajse të njëjtin komunikatë Qeveria e ka lëshuar edhe për takimin që Kurti ka pasur me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.
“Së bashku diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks situatën e fundit në veri të vendit, rëndësinë për deeskalim të plotë dhe rrugë përpara. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti theksoi se sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara. Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”, është thënë në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Nëse këto kërkesa nuk realizohen, SHBA-ja dhe BE-ja kanë paralajmëruar se mund të këtë pasja për Kosovën.

