Eskalon Vuçiqi: Kritikon BE-në për liberalizimin e vizave për Kosovën, 'i mëshon' edhe Lajçakut - NACIONALE

Eskalon Vuçiqi: Kritikon BE-në për liberalizimin e vizave për Kosovën, 'i mëshon' edhe Lajçakut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Duke kritikuar BE-në për vendimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka goditur edhe Lajçakun duke thënë se nuk ka bërë ndonjë përparim në Prishtinë.

“Lajçak ishte sot në Prishtinë dhe sipas asaj që pashë nga deklaratat atje, pothuajse nuk është bërë ndonjë përparim. Gjithçka është çështje interpretimi, por jam thuajse i sigurt se Kurti është i vendosur të mos e formojë Asociacionin dhe se e ka të lehtë ta bëjë këtë, tregon vendimi i sotëm i BE-së për heqjen e vizave për qytetarët e këtij vendi,”- citohet të ketë thënë Vuçiq për televizionin e afërt me regjimin Happy, raporton Kosovo Online.

Bëhet e ditur se ai më tej ka thënë se vendimi për liberalizimin e vizave e inkurajon Kurtin të mos përmbushë obligimet, si dhe e ka cilësuar momentin e marrjes së këtij vendimi si “problematik”.

"Momenti që ndodh tregon se ata nuk janë të gatshëm të bëjnë presion ndaj Kurtit, por janë duke e inkurajuar Kurtin për mos përmbushjen e obligimeve që ka. Ky është problem," - ka shtuar Vuçiq.

Ndër të tjera, Vuçiq ka thënë se asnjëherë nuk do ta nënshkruajë kapitullimin e Serbisë e as nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës apo anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, gjë që, sipas tij, tashmë ua ka përsëritur disa herë të gjithë përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Lajme të ngjashme