Escobar: Nuk kemi marrë angazhimin e plotë nga Kosova për deeskalim të situatës në veri
I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabiel Escobar, dha një përditësim të fundit të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veçanti para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve. Gjatë raportimit, Escobar u pyet mbi situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe hapat drejt deeskalimit. Duke adresuar shqetësimet e ngritura nga republikani Thomas Kean, Escobar përmedi planin trëpikësh të ShBA-së dhe BE-së që synon deeskalimin e situatës dhe nxitjen e stabilitetit. Lidhur me hapat e palëve drejt de-përshkallzimit, Escobar pranoi se kërkoheshin përpjekje të mëtejshme nga pala kosovare. Në kulmin e tensioneve në veri, Escobar nuk harroi të theksojë thirrjen e vetme që i është bërë Kosovës, duke kërkuar që kryetarët e komunave të mos vendosen me forcë në zonat ku po zhvilloheshin protestat, kërkesë e cila nuk u përfill.
Në fillim të seancës, Përfaqësuesi Republikan Thomas Kean theksoi rëndësinë e angazhimit të Kosovës në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Megjithatë, ai theksoi nevojën që Shtetet e Bashkuara të sigurojnë që Asociacioni të mbrojë të drejtat e serbëve të Kosovës pa cenuar integritetin territorial të Kosovës.
Ai e pyeti Escobarin të pohonte publikisht nëse kryeministri Kurti është i përkushtuar për formimin e Asociacionit dhe nëse ShBA dhe BE do të ushtrojnë presion të barabartë ndaj Beogradit që të përgjigjet me mirëbesim dhe të respektojë detyrimet e tij lidhur me marrëveshjet e fundit.
"A mund të zotoheni publikisht se kryeministri Kurti po angazhohet në mënyrë të besueshme në formimin e Asociacionit dhe nëse ShBA-ja dhe BE-ja do të ushtrojnë të njëjtën masë presioni ndaj Beogradit për t'iu përgjigjur me mirëbesim dhe për të mbajtur detyrimet e tij për marrëveshjet e fundit?”, - ishte pyetja e Kean drejtuar Escobarit.
Escobar u zotua plotësisht duke marrë për bazë rëndësinë e marrëveshjeve të fundit, veçanërisht marrëveshjes së Ohrit. Ai e përshkroi atë si një mundësi të jashtëzakonshme për të dy vendet për të vendosur marrëdhënie paqësore dhe të qëndrueshme, duke çuar në një integrim më të madh evropian.
Ai tha se Marrëveshja obligon Serbinë të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, njohjen e simboleve kombëtare, dokumenteve qeveritare, diplomave, pasaportave, targave, kartave të identitetit si dhe mos pengimin e integrimit të Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
“Absolutisht. Marrëveshja e fundit, veçanërisht marrëveshja e Ohrit, ofron mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet për të krijuar një marrëdhënie paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve dhe për të hapur derën për një integrim më të madh evropian. Marrëveshja kërkon që Serbia të njohë sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës, të njohë simbolet e saj kombëtare, dokumentet qeveritare, diplomat, pasaportat, targat, kartat e identitetit dhe të përmbahet nga bllokimi i integrimit të Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare", - u përgjigj Escobar.
Escobar foli edhe për planin trëpikësh të propozuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të rivendosur paqen dhe për të nisur një dialog kuptimplotë. Ndërsa sa i përket gatishmërisë për de-përshkallzim, Escobar tha se nevojiten përpjekje të mëtejshme nga pala kosovare.
Emisari i ShBA-së tha se ka pajtim me Kosovën në synimet për të vendour standardet demokratike por ai shprehu nevojën për harmonizim më të madh me planin e lehtësuar evropian, duke i kërkuar Kosovës që të përqafojë plotësisht kushtet e propozuara.
“ShBA dhe BE kanë hartuar një plan prej 3 pikësh që përfshin de-përshkallëzimin. Largimi i policisë speciale, tërheqja e protestuesve dhe procesi për krijimin e zgjedhjeve të reja me pjesëmarrjen e serbëve pa kushte dhe më pas kthimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pra këto janë kushtet. E kemi marrë zotimin nga Serbia se do t'i largojnë protestuesit dhe do të marrin pjesë plotësisht në zgjedhje. Nuk e kemi marrë plotësisht atë përkushtim nga pala kosovare, por pajtohemi me Kosovën për shumë prej standardeve demokratike që ata do të dëshironin t'i zbatonin. Dhe ne pajtohemi me Kosovën se ata që sulmojnë gazetarët, Policinë e Kosovës dhe trupat e KFOR-it duhet të ndëshkohen, por ne ende dëshirojmë të shohim një harmonizim më të madh të planit të lehtësimit evropian.” - tha Esobar.
Escobar theksoi njohjen për zgjedhje të reja në Kosovë, duke theksuar legjitimitetin e tyre përkundër kundërshtimeve nga Serbia në lidhje me pjesëmarrjen e ulët të votuesve.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së foli edhe për autoritetin e kreytarëve aktual të zgjedhur, duke përsëritur se legjitimiteti i tyre mbetet i paprekur pavarësisht kundërshtimeve të Serbisë.
Emisari special i Shteteve të Bashkuara përmendi edhe apelin e vetëm për Kosovën, duke kërkuar që të mos vendosen me forcë kryetarët e komunave në zonat ku po zhvilloheshin protesta, kërkesë e cila sipas tij nuk është marrë parasysh nga pala kosovare.
“Ne e pranojmë nevojën për zgjedhje të reja. Ne e njohim legjitimitetin e zgjedhjeve pavarësisht kundërshtimeve të Serbisë se pjesëmarrja ishte shumë e ulët. Ne e njohim autoritetin e kryetarëve të komunave përkundër kundërshtimit të Serbisë. Kërkesa e veçantë ishte që Kosova të mos tentojë të vendosë me forcë kryetarët e komunave aty ku ka pasur protesta. Kjo nuk e zbehte legjitimitetin apo autoritetin e Kosovës. Në ndërkohë, ne kemi qenë shumë të ashpër me Serbinë për kushtet që kërkojmë për pjesëmarrje në atë që është një proces demokratik në Kosovë. Ne kemi marrë zotime se nuk do ta kundërshtojnë këtë dhe ka pasoja për Serbinë. Kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë me Bashkimin Evropian për të siguruar që plani me tre pika të zbatohet.” – tha Escobar.