Escobar e quan "historike" marrëveshjen e Ohrit: Ajo është tashmë "ligjërisht e obligueshme" - NACIONALE

Escobar e quan "historike" marrëveshjen e Ohrit: Ajo është tashmë "ligjërisht e obligueshme"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Emisari special i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur sërish në lidhje me marrëveshjen e Ohrit.

Në një diskutim virtual me gazetarë, diplomati amerikan u shpreh se pajtimi i arritur në Ohër është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe se si e tillë është “ligjërisht e obligueshme”.

Nuk dihet nëse këtë qëndrim e ndan edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

“Rruga evropiane (e të dyja vendeve) është jashtëzakonisht e kushtëzuar nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje,” – u shpreh z. Escobar në fjalën e tij.

Sipas tij, ishte e rëndësishme që Kosova të niste draftimin e versionit të saj për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ai nuk ngurroi gjatë këtij diskutimi që ta quante marrëveshjen si “historike” derisa tha se ajo përbën “nisjen e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë.”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Duke folur për shtetet mos-njohëse të Kosovës në BE, ai tha këto fjalë:

““Ne shpresojmë që të gjitha shtetet e BE-së ta njohin Kosovën në një të ardhme të afërt. Është e rëndësishme për Kosovën, që është pjesë e familjes evropiane, që të njihet nga pjesa tjetër e familjes evropiane. Besoj se një prej gjërave që duhet të ndodhë në rajon është se të gjitha shtetet në Ballkanin Perëndimor duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë raporte paqësore dhe produktive,” – u shpreh ai.

Zyrtari amerikan tha se Rusia ka tentuar të krijojë probleme përmes mediave dhe dezinformatave te grupet djathtiste në Serbi që po e kundërshtojnë marrëveshjen në fjalë.

“Rusia ka tentuar që të krijojë probleme brenda problemeve ekzistuese për të penguar integrimin euroatlantik të rajonit. Por, në realitet problemet vazhdojnë të jenë probleme të rajonit dhe ato duhen zgjidhur, duke shikuar nga aspekti se çfarë duhet të ndodhë në rajon, e që ësht pajtimi rajonal,” – theksoi Escobar.

Gjatë ditës së sotme foli edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili tha se kryeministri i Kosovës duhej të punonte me ta për ta zbatuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Lajme të ngjashme