Escobar dhe Lajçak: Kurti e pranoi Asociacionin në Ohër; Të deeskalohet situata - NACIONALE

Escobar dhe Lajçak: Kurti e pranoi Asociacionin në Ohër; Të deeskalohet situata

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Emisari amerikan, Gabriel Escobar dhe ai evropian, Mirsolav Lajçak, ishin të pranishëm në “Këshillin Atlantik”. Natyrisht, temë kryesore e diskutimit ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe tensionet së fundi, ndërsa dy diplomatët shfrytëzuan mundësinë që bëjnë thirrje edhe një herë për themelimin e Asociacionit. Çka u tha?

Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, pasi që siç e theksoi emisari amerikan, Gabriel Escobar, kryeministri Albin Kurti u pajtua për një gjë të tillë me arritjen e marrëveshjes së Ohrit.

“A dëshiron kryeministri Kurti ta zbatojë Asociacionin?” – u pyet ai nga moderatorja.

“Ai e afirmoi atë obligim ndërkombëtar në Ohër. Dhe kjo gjë është më e rëndësishmja.” – u shpreh Escobar.

“Po, unë mund ta konfirmoj një gjë të tillë...” – u shpreh Lajçak.

Më shumë rreth Asociacionit

Një prej pyetjeve që iu shtrua dy politikanëve, ishte edhe ajo rreth draft statutit për Asociacionin të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Unë mendoj që ka qenë një plan serioz, dhe mendoj që e tregon ngritjen e nakthit të rajonit që kjo pjesë e marrëveshjes nuk do të bëhet kurrë. Iu rekomandoj njerëzve ta lexojnë.” – tha Escobar në lidhje me këtë çështje.

Ndërkohë, Lajçak, uroi që të kenë më shumë diskutime rreth Asociacionit, rrjedhimisht, edhe draft statuteve e mos të flitet për kriza.

“Vërtetë mendoj që ta kemi këtë diskutim, çfarë ka statuti, çfarë jo, e jo për kriza.” – deklaroi ai.

Ndërkohë, mes tjerash ai deklaroi edhe si vijon rreth Asociacionit: “Marrëveshja në Ohër është ligjërisht e obligueshme, kështu që nuk duhet të ketë dilemma rreth kësaj. Kemi nisur implementimin, deklarata për të zhdukurit, draft statuti për Asociacionin, komiteti”.

Urgjenca

Siç e kemi parë edhe para tensioneve të fundit, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë me urgjencë finalizimin e marrëveshjes dhe implementimin e saj mes Kosovës dhe Serbisë.

Krejt kjo, për shkak të zhvillimeve të tjera politike si në ShBA, ashtu edhe në BE.

“Nuk mendoj se kemi kohë që të jemi strategjikisht durimtarë, ne kemi zgjedhje në Evropë dhe zgjedhje presidencale në ShBA, dhe nuk beso që Kosova do të jetë qendra e vëmendjes.

Kështu që, unë besoj që duhet të finalizojmë punën deri në fund të këtij viti, ne mund të jemi në një lojë të re komplet pas këtyre zgjedhjeve. Unë mendoj që ne duhet të kthememi në tavolinën e negociatave, sa më parë.” – ka thënë Lajçak.

Dy politikanët, përgjatë gjithë diskutimit kishin thuajse qëndrime të ditura më parë, si dhe të harmonizuara. Kështu që më deklaratën e lartëpërmendur, u pajtua edhe emisari Escobar.

“Pajtohemi, duhet të kemi implementim sa më parë. Serbia duhet të mendojë se si do të implementojnë palët e tyre, që do të thotë njohje e simboleve, flamurit të Kosovës, duke përfshirë integrimin e saj në BE.” – tha ai.

Lajçak u shpreh i bindur se takimi do të ndodhë, kjo pasi sipas tij, është serioze t’i thuash “Jo” një çështje të tillë.

“Nuk ka pasur asnjëherë ndonjë rast kur kanë thënë që i thonë JO ftesës nga BE-ja. Prandaj, ata do të vijnë. T’i thuash JO një ftese nga BE-ja është çështje shumë serioze.” – tha ai.

Lajme të ngjashme