Escobar: Asociacioni është obligim, një individ s`mund t`i ikë njëanshëm
I dërgua i posaçëm i SHBA-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, ka bërë me dije edhe një herë se Kosova nuk mund t`i shmanget formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Gjatë vizitës në Kosovë, ai ka thënë se Asociacioni është një obligim i detyrueshëm ndërkombëtar që duhet të përmbushet.
Sipas tij, një parti dhe një individ nuk mund të ikin në mënyrë të njëanshme nga ky obligim.
“Asociacioni është një obligim i detyrueshëm ligjor ndërkombëtar. Ai e obligon Kosovën, obligon Serbinë dhe e obligon BE-në që e ka udhëhequr, dhe pse ne e kemi përkrahur, është përkushtim i yni. Andaj, një parti dhe një individ nuk mund të ikë nga ai njëanshëm,” - ka deklaruar Escobar, transmeton Koha.
Në deklaratat e tij të mëhershme, z. Escobar ishte shprehur se mund të bisedonin me akterë tjerë në Kosovë për formimin e Asociacionit nëse nuk bashkëpunonte Kurti.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës vazhdon të jetë kundërshtues i ashpër i marrëveshjes së nënshkruar më 25 gusht të vitit 2015.