Erdogan i kishte kërkuar Putinit të shpallte një armëpushim të njëanshëm në Ukrainë
Presidenti turk, i cili është përpjekur të ndërmjetësojë në konfliktin e shkaktuar nga pushtimi rus në vendin e tij fqinj, kishte planifikuar gjithashtu të fliste me liderin ukrainas Volodimir Zelensky.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i kërkoi më herët hmologut të tij rus Vladimir Putin të zbatojë një "armëpushim të njëanshëm" në Ukrainë, njoftoi presidenca turke.
"Thirrjet për paqe dhe negociata midis Moskës dhe Kievit do të duhet të mbështeten nga një armëpushim i njëanshëm", i tha kreu i shtetit turk Putinit në një bisedë telefonike, sipas një deklarate të lëshuar nga Ankaraja.
Erdogan ishte planifikuar të vazhdonte bisedimet me presidentin ukrainas Volodimir Zelensky më vonë të enjten.
Udhëheqësi turk ka përfituar nga marrëdhëniet e tij të mira me Moskën dhe Kievin në përpjekje për të ndërmjetësuar përfundimin e luftës. Turqia priti dy nga raundet e para të bisedimeve të paqes dhe ndihmoi ndërmjetësimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga OKB për të rivendosur furnizimet ukrainase me grurë nëpërmjet Detit të Zi.
Erdogan gjithashtu është përpjekur vazhdimisht të sjellë Putinin dhe Zelenskyn në Turqi për një samit paqeje.
Thirrja e Erdoganit për një armëpushim "të njëanshëm" erdhi pasi udhëheqësi shpirtëror rus Patriarku Kirill propozoi një armëpushim deri të premten, kur festohen Krishtlindjet ortodokse në të dy vendet.
Udhëheqësi shpirtëror rus tha në një deklaratë: Unë, Kirill, Patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusisë, po u drejtohem të gjitha palëve të përfshira në konfliktin vëllavrasës për t'u kërkuar atyre të vendosin një armëpushim të Krishtlindjeve, në mënyrë që ortodoksët të mund të marrin pjesë në mesha në prag të Krishtlindjeve dhe në ditën e Lindjes së Krishtit”, tha ai në faqen e internetit të Kishës.
Udhëheqësi 76-vjeçar ortodoks është një mbështetës i vendosur i Presidentit Vladimir Putin dhe ofensivës së tij në Ukrainë. Ai ka dhënë bekimin e tij për trupat ruse që luftojnë në Ukrainë dhe ka mbajtur predikime të forta anti-perëndimore dhe anti-Kiev gjatë gjithë konfliktit.
Kisha Ortodokse Ruse ka humbur shumë ndikim në Ukrainë që kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe u dha mbështetje separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore.
Në vitin 2019, një pjesë e Kishës Ortodokse të Ukrainës u nda nga Moska - e cila ka mbajtur dominimin shpirtëror mbi pjesën më të madhe të Ukrainës për shekuj - në një përçarje historike.
Majin e kaluar, Kisha Ortodokse e Ukrainës ndërpreu lidhjet me Rusinë për shkak të ofensivës së Moskës në Ukrainë në shkurt. /Nacionale/