Enkelejd Alibeaj jep dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike në Shqipëri
Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Enkelejd Alibeaj ka dhënë dorëheqje nga ky post, tri ditë pas zgjedhjeve që janë mbajtur atje.
Alibeaj përmes një konferencë për media ka folur për zgjedhjet e mbajtura më 14 maj, duke thënë se kanë pasur probleme serioze.
“Zgjedhjet e 14 majit, padyshim, patën probleme serioze: presione mbi administratën, përdorim të fortësh, përdorim oligarkësh, sistem elektronik difektoz etj. Por, para së gjithash, ne duhet të shohim nga vetja. Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së Partisë Demokratike në rezultatin e zgjedhjeve. Ne duhet të vlerësojmë si duhet punën e bërë në terren nga strukturat e partisë, impenjimin e gjithsecilit, kontributin e gjithsecilit, për të kuptuar çfarë shkoi keq dhe çfarë shkoi si duhet. Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmëria, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar.” – ka thënë ai.
Duke kërkuar një riorganizim të Partisë Demokratike, Aliebeaj njoftoi dorëheqjen si edhe largimin nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar.
“Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar. Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e kam theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale. Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en. Ne do të duhet të kuptojmë se si t’u flasim jo vetëm demokratëve, por edhe atyre qytetarëve të zhgënjyer nga politika e 30 viteve, të cilët përbëjnë shumicën e heshtur në vend.” – ka thënë ai.
