Ende te bilateralja, takimet veç-e-veç zgjasin edhe më tej - Vuçiqi deklarohet se "ngula këmbë te Asociacioni"
Takimet dy palëshe nisën, përfunduan, dhe rifilluan; anipse qysh prej orës 18:00 bëhej e ditur se do të niste takimi trepalësh mes Borrell/Lajçakut me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin.
Gjer më tash, në këtë kohë të ndërmjetme, është lajmëruar vetëm Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se te Borrell-i ka instituar – te kryefjala e tij – për formimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.
Më tej ai u shpreh në mantrën e tij të kahershme se gjoja është "i gatshëm për kompromis".
Takimi si i tillë nuk ka zgjuar pritshmëritë e ndokujt – duke u parë veçse si tentim për të treguar se “dialogu është gjallë” – Borrell megjithatë tha para takimit se “zbatimi i marrëvshjes është kryefjala” e këtij takimi Kurti-Vuçiq.
Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se palët e kanë para vetes këtë propozim:
“Kosova të nis procedurat për zbatimin e Asociaciont derisa Serbia të nis njohjen e dokumentave, institucioneve dhe simboleve shtetërore të Kosovës”.
Albin Kurti, në anën tjetër, është shprehur se këtë takim e sheh “veçse në funksion të rikapitullimit të asaj që është arritur” dhe se në Bruksel shkon “veçsa për të parë se ku gjendemi” në raport me Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit.
Ndonëse në ora 18:00 supozohej të niste takimi trepalësh – dhe në uebsajtin e EBS-së lajmërohet fiks për në atë orë Takimi i Nivelit të Lartë – palët, siç raportoi REL, janë kthyer sërish në takime dy palëshe.
Borrell do të adresohet për media pas takimit është njoftuar qysh më herët me t’u lajmëruar takimi.
“Do të jetë e rëndësishme të kuptojmë se si dy palët e shohin të ardhmen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Si duan palët që ta vazhdojnë këtë punë. Për pak muaj do të ketë njerëz tjerë emra tjerë në vendin tonë, por marrëveshjet, konkluzat dhe pritjet e BE-së s’do të ndryshojnë. Shtetet anëtare s’do të ndryshojnë”, ka thënë Borrell në një deklaratë para takimit.
“Zotimet dhe obligimet e Kosovës dhe të Serbisë s’do të ikin. Të gjithë do të presin nga kapacitetet dhe vullnetin e kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë të sigurojnë të ardhme më të mirë evropiane për popujt e tyre”.
Ndërmjetësi sllovak, Miroslav Lajçak, para takimit ka kërkuar që Kurti dhe Vuçiq t’i kthehen – tash pas nëntë muajsh – tryezës së bisedimeve “me guxim dhe vizion politik”; teksa rikapitulloi përpjekjet e tij javën e kaluar në Prishtinë dhe Beograd.
“Gjithçka është gati për nesër (v.j. postimi i së martës në mbrëmje), dhe shpresojmë që dy liderët të vijnë me vizion dhe guxim politik të nevojshëm për t’i sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër të ardhmes së tyre evropiane”, ka shkruar ai në Facebook.