Emisari gjerman përmend Asociacionin: Të nisin diskutimet, Qeveria të tregojë që s’është temë tabu - NACIONALE

Emisari gjerman përmend Asociacionin: Të nisin diskutimet, Qeveria të tregojë që s’është temë tabu

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Manuel Sarrazin, emisari i emëruar për Ballkanin Perëndimor nga kancelari gjerman Olaf Scholz, ka thënë se është koha që të fillojnë diskutimet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, derisa pati një thirrje edhe për Qeverinë e Kosovës.

Në një intervistë për RTK-në, Sarrazin duke folur për çështjen e targave, theksoi se situata është e tensionuar.

Ky i fundit, shtoi se Qeveria e Kosovës ka të drejtë të gjejë zgjidhje, por “nuk duhen vetëm parimet”.

“Ne besojmë se Qeveria e Kosovës ka të drejtë të zgjidhë çështjen e targave të veturave, por nuk na duhen vetëm parimet”, tha Sarrazin.

Tutje, ai përmendi edhe Asociacionin. Sipas emisarit gjerman, kjo është çështje për të cilën duhet të fillojnë diskutimet dhe se Qeveria duhet të tregojë që nuk është “temë tabu”.

“Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është çështje e dialogut, dhe është koha e duhur për të filluar bisedimet për të nxjerrë konceptet kryesore, që të tregohet që nuk është temë tabu që Qeveria ta diskutojë”, deklaroi ai.

ShBA do të vazhdojë të ngul këmbë për Asociacionin

Kështu deklaroi javën që lamë pas emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ky i fundit, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ritheksoi se Amerika ka qenë shumë e qartë në atë që pret nga të dyja palët, duke përmendur kështu në rastin e Kosovës, çështjen e Asociacionit.

“Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë”, tha ai.

Mes tjerash, ai shprehi se kjo është kërkesë edhe e shteteve e QUINT-it, për të cilën, ShBA-ja do të vazhdojë të ngul këmbë.

“Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të Quintit, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha ai.

Çfarë tha BE-ja për Asociacionin?

Bashkimi Evropian para disa ditësh, më konkretisht në reagimin e tyre pas situatës së krijuar në veri të vendit për shkak të dorëheqjeve të zyrtarëve serbë nga institucionet, kërkoi që të nisin menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit.

Ndonëse patën një kërkesë për serbët, të cilëve u kërkohej që të rikthehen menjëherë në institucione, Kosovës, kryediplomati Josep Borell ia përmendi Asociacionin.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut. BE-ja gjithashtu i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, deklaroi ai.

Lajme të ngjashme