Elefanti që s'e pamë: Rexhep Qosja, president i Shqipërisë? - NACIONALE

Elefanti që s'e pamë: Rexhep Qosja, president i Shqipërisë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në fund të muajit korrik, Republika e Shqipërisë pritet të bëhet me president të ri. Kjo pasi presidentit aktual, Ilir Metës i skadon mandati pesëvjeçar. Mundësia që Shqipëria të bëhet me një president kosovar është shtruar javët e fundit, dhe emri më i përfolur ishte ai i Ramush Haradinajt që demantoi lajmin. Por, elefanti në dhomë nuk u pa!

‘Elefanti’ është Rexhep Qosja. Shkrimtari 85 vjeçar kosovar gëzon një raport të shkëlqyer ndërpersonal me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama.

Edhe sipas opozitës, por edhe sipas Vetëvendosjes në Shqipëri, presidenti i ri shqiptar pritet të caktohet nga ‘vullneti personal’ i kryeministrit shqiptar. Dhe nëse ndodh kjo, e ndërmend Rama ka një kosovar, atëherë kandidati më i mundshëm del të jetë pikërisht akademiku i lindur në Vuthaj të Malit të Zi.

V E R A e kaluar

Pikërisht verën e kaluar, më 25 qershor të vitit 2021, Edvin Kristaq Rama kishte dekoruar Rexhep Qosjen për nder të 85-vjetorit të lindjes.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni kishte qenë edhe kryeministri asokohe i sapozgjedhur i Kosovës, z. Albin Kurti.

Admirimi i kryeministrit shqiptar për figurën kontroverse kosovare nuk ka qenë asnjëherë i fshehur dhe gjithnjë publik.

Përveç dekorimit të fundit me Yllin e Medaljes, Rama ka qenë i pranishëm edhe kur Qosjes i janë dhënë një varg titujsh të ndryshëm, siç ishte ai “Qytetar Nderi” në qytetin e tij, Vlorë.

Qosja është quajtur “hero i mendimit shqiptar” dhe ka marrë një varg epitetesh tjera të jashtëzakonshme e të cilat nuk do t’i renditim në mënyrë që të mos ju marrim kohë.

Akademiku në anën tjetër, kishte lavdëruar vazhdimisht kryeministrin shqiptar Edi Rama përkundër mospajtimeve të tij publike me kryeministrin kosovar, Albin Kurtin.

Në ceremoninë e ditëlindjes që u mbajt vitin e kaluar, Qosja ishte shprehur në superlativ për të dy duke provuar – ndoshta – që t’i pajtonte:

“Edi Rama dhe Albin Kurti janë dy politikanë intelektualë, natyrisht të çmuar prej popullit, dhe kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit, në të cilat pjesa më e madhe e popullit ua dha votën, ua dha besimin. Nuk mund të mos e themi se kryeministri Edi Rama dhe kryeministri Albin Kurti janë politikanë dhe intelektualë, njëkohësisht edhe të kritikuar, kur e kur me arsye, por shpesh edhe pa arsye. Mund t’i dëgjojmë kritikat me të cilat mund të pajtohemi, por edhe ato kritika që janë pa të dhëna, pa argumente. Kritikat janë të nevojshme në jetën politike e shoqërore, janë edhe të dobishme. Sjellin nxitje e frymëzime të reja për përkushtime e punë të reja.”

V D E K J A më vjen prej syve të tillë

Qosja do të jetë 86 vjeçar më 25 qershor të këtij viti. Sidoqoftë, një muaj pas kësaj ditëlindjeje mund ta gjejë veten në pozicionin më të lartë në karrierën e tij politike.

Së fundi, ai ka bërë një aktivizim të papritur në rrjetet sociale duke e sulmuar ‘rivalin e përhershëm’ të kryeministrit Rama, z. Sali Berisha.

Ai në një shkrim autorial në fund të muajit mars, i kujtonte demokratit të shpallur non-grata nga ShBA-të shumë e shumë dështime por edhe i përkujtonte moshën e shtyrë.

Po ashtu, ai ka bërë një shkrim ‘misterioz’ në të cilin sulmon ‘heronjtë e luftës’ duke i dhënë një përparësi ‘heronjve të mendjes’ çka shtyri një gazetar të Nacionales të shkruante një shkrim të titulluar “A po bëhet Rexhep Qosja, rugovist?”

Në atë kohë, emër për president të Shqipërisë përmendej edhe kryetari i AAK-së, z. Ramush Haradinaj. Sidoqoftë, ky i fundit më vonë i mohoi kategorikisht këto spekulime.

R A M A pro-kosovarist

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka emëruar në kabinetin e tij një numër mjaft të madh kosovarësh.

Besa Shahini kishte qenë ministre e Arsimit gjatë Qeverisë Rama II derisa Gent Cakaj ishte zv. ministër i Punëve të Jashtme. Po ashtu, Hajrulla Çeku kishte shërbyer si zv. ministër i Turizmit dhe Mjedisit në të njëjtën kohë.

Emrat e përmendur në Shqipëri për pozitën e presidentit janë të shumtë, derisa edhe mundësia e një presidenteje grua është shtruar më zëshëm së fundi.

Megjithatë, ndër kosovarë, emri më i mundshëm për president duket të jetë ai i z. Qosja.

Lajme të ngjashme