Ekspozita skandaloze në shesh, kërkohet veprimi i Prokurorisë: U financua nga shteti, po shtrembërohet historia
Ekspozita skandaloze e bazuar në librin e Shkëlzen Gashi, e cila është ekspozuar në sheshin e Prishtinës dhe që përmban huqje të mëdha për luftën e fundit, ka nxitur reagime të shumta në vend. Pas kritikave të shumta, Komuna e Prishtinës ka pezulluar lejen dhe sot në ora 10:00 do ta largojë këtë ekspozitë.
Vala e reagime është rritur kur Kuvendi i Kosovës e ka pranuar se ka mbështetet financiarisht këtë ekspozitë që shtrembëron të vërteten e luftës në Kosovë.
Deputetë, politikanë dhe njohës të rrethanave politike në vend kanë kërkuar që për këtë rast të reagojë edhe Prokuroria.
I pari që ka reaguar ka qenë ish-deputeti i VV-së, Enver Dugolli.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka bërë me dije se të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta.
“Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur) aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme. Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë, është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, ka shkruar Dugolli, i cili është edhe i mbijetuar i kësaj masakre.
Edhe më i ashpër ka qenë deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i mbijetuar i masakrës së Dubravës.
Një ekspozitë të tillë ai e ka quajtur krim monstruoz.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se aty nuk tregohet e vërteta, por rrenat dhe mashtrimet serbe.
Ai e ka kritikuar edhe Kuvendin e Kosovës që e ka mbështetur këtë ekspozitë.
“Dhe kjo ekspozite e financuar nga Kuvendi i Kosovës me këso të pavërteta e mashtrime, ku në këtë Kuvend të Kosovës kemi mbajtur fjalime e nxjerrë rezolutë për Masakrën në Burgun e Dubravës, e të lejohet e financohet në emër të Kuvendit kjo ekspozitë është krim duke vrarë bashkë me autorin dhe njëherë të burgosurit e burgut të Dubravës dhe shkelur gjakun e të vrarëve në këtë burg nga institucionet e shtetit të Serbisë. Për këtë krim të qëllimshëm nga autori i këtij shkrimi e ekspozite, kërkoj nga institucionet e drejtësisë gjykim e dënim për këtë krim monstruoz”, ka shkruar ai.
Kurse, njohës i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka kërkuar veprimin e Prokurorisë.
Ai ka bërë me dije se kjo është tentim për të ndryshuar historinë.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka kërkua nga Prokuroria e Shtetit që të veprojë sa më shpejt.
“Lufta Hibride po vazhdon ndrrimin e historisë së Kosovës. Tash, edhe përmes ekspozitës në qendër të Prishtinës, ku masakra serbe ndaj shqiptarëve në burgun e Dubravës na del edhe si vrasje e 48 shqiptarëve të armatosur. Sepse, këto na qenkan të dhënat e Serbisë apo? Për më keq, pushteti e paska financuar! PROKURIA të veprojë sa më shpejt! Historinë po duan të na ndrrojnë! Hibridat në aksion të avancuar!”, ka shkruar ai.
Reagimet institucionale
Ndaj ekspozitës kanë reaguar edhe institucionet qendrore.
Kuvendi i Kosovës e ka pranuar se e ka mbështetur financiarisht këtë ekspozitë.
Në reagimin e kuvendit është thënë se Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve.
“Në lidhje me reagimet e fundit për ekspozitën, theksojmë se Kuvendi, në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave. Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, është thënë në reagimin e Kuvendit.
Ndaj ekspozitës ka reaguar edhe Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
Duke e ftuar prokurorinë për hetim, ai ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme të kësaj ekspozite.
“Këto nuk janë gabime të thjeshta teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme. Si Ministër i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, bëj thirrje për: - Tërheqjen e menjëhershme të materialeve që përmbajnë pasaktësi; - Verifikim institucional të plotë të përmbajtjes së ekspozitave publike për krimet e luftës. Në të njëjtën kohë, ftoj institucionet përgjegjëse, përfshirë Prokurorinë e Shtetit dhe mekanizmat për hetimin e krimeve të luftës, që të shqyrtojnë këtë çështje. E vërteta për krimet e kryera në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet. Ajo është themel i drejtësisë dhe detyrim ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe historisë sonë”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në Facebook.