Ekspertët e ekonomisë: Zhgënjyese që Serbia zë vendin e katërt për import në Kosovë gjatë vitit 2022 - NACIONALE

Ekspertët e ekonomisë: Zhgënjyese që Serbia zë vendin e katërt për import në Kosovë gjatë vitit 2022

3 vjet më parë

nga Eriola Cacaj

Tregtia e Jashtme e Kosovës gjatë vitit 2022 u karakterizua me rritje si në eksport ashtu edhe në import. Ndonëse eksporti drejt vendeve partnere tregtare u vlerësua me rritje të kënaqshme, produktet që prodhohen në shtetet tjera vazhdojnë ta dominojnë tregun e Kosovës.

Së fundi, Instituti GAP publikoi top 10 partnerët tregtarë të Kosovës gjatë vitit 2022.

Sipas këtij instituti, Kosova ka eksportuar mallra më së shumti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Gjermania. Ndërkaq importoi nga Zvicra, Gjermania, Kina dhe Serbia.

Lidhur me këto të dhëna, Nacionale kontaktoi me deputetë e njohës të ekomisë, për të mësuar se si e vlerësojnë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si edhe anëtar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërrmarrësi dhe Tregti, Pal Lekaj ka thënë për Gazetën Nacionale se importi dhe eksporti në Kosovë lë shumë për të dëshiruar.

Sipas Lekajt, është zhgënjyese se Qeveria Kurti për dy dekada kritikoi, sulmoi dhe bëri kauza politike mbi importin e mallrave nga Serbia, ndërsa sot Ekonomia e Serbisë po lulëzon mbi supet e Qeverisë Kurti.

“Në Kosovë, aspekti ekonomik sa i përket import-eksportit lë shumë për tu dëshiruar. Realisht edhe vitin që e lam pas vendi ynë u përballë me stagnim të zhvillimit ekonomik. Zhgënjyese për shtetin, qytetarët që Serbia në vitin 2022 renditet e gjashta nga eksportuesit e mëdhenj që eksporton në Kosovë me 371 milionë euro. Edhe më zhgënjyese është që në pushtet kemi Qeverinë Kurti e cila për gati dy dekada kritikoi, sulmoi dhe bëri kauza politike mbi importin e mallrave nga Serbia, ndërsa sot kur ata janë në pushtet Ekonomia e Serbisë po lulëzon mbi supet e Qeverisë Kurti.” – ka thënë Lekaj.

Veç kësaj, Lekaj tha se eksporti dhe importi për vitin 2022 u rrit për 20%, dhe sipas tij ekonomia e Kosovës është në gjendje të rënduar pasi kemi një mospëputhje të vlerave.

“Pra, vlera e eksporteve dhe importeve për vitin 2022 u rrit për 20% krahasuar me vitin 2021, realisht kjo nuk e mohon të vërteten që ekonomia e Kosovës është në gjendje të rënduar pasi kemi një mospëputhje të vlerave, ku fatkeqësisht shumë importojmë dhe pak eksportojmë si shtet. E vërteta tjetër është që të gjitha të dhënat nga FMN-ja dhe Banka Qendrore, tregojnë që Shteti kishte rritje ekonomike të vogël 2-3%. Këtë gjendje të dobët ekonomike, Qeveria nuk arriti ta ndihmojë në asnjë mënyrë, ku vazhdimisht në Kosovë kishim një inflacion me ngritje të të gjitha çmimeve, mos përkrahje të ekonomive familjare , ndërmarrjeve të vogla e të mesme, si dhe ngecje në investimet kapitale nga niveli qendror!” – i ka thënë Lekaj gazetës.

Anëtari i kryesisë së Partia Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka thënë për Gazetën Nacionale se vlera rekorde importin nga Serbia e Kina me gati 1 miliardë euro është shumë keq.

Përderisa Qeverisë po i shtohen ditët e vitet e mandatit njëkohësisht po i rriten dështimet të pasqyruara në pothuajse të gjitha fushat me pothuajse të gjithë treguesit, sikurse ky i importeve. Ta shohësh në vlera rekorde importin nga Serbia e Kina me gati 1 miliardë euro është keq, shumë keq. Mungesa e vizionit për ta zhvilluar ekonominë, për të bërë punë e për të realizuar projekte kapitale, për t'i aktivizuar burimet tona e për ta rritur prodhimin, po e dëmton shumë strukturën ekonomike dhe po detyron eksportimin e parave tek shtetet të cilat çdo ditë investojnë në mohimin dhe rrënimin e shtetit tonë.” – ka thënë Stavileci.

Ndërsa, nga ana tjetër, njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu ka thënë se në mes të importit dhe eksportit është një diskrepancë e madhe.

Gërxhaliu ka thënë për Gazetën Nacionale se disa vende e shfrytëzojnë Kosovën në aspektin ekonomik.

“Nëse analizoni eksportin dhe importin është një diskiripanc shumë e madhe ajo që bie në sy është fakti që Kosova ka trendë të eksportit me ShBA-në, me Zvicër, me Serbinë dhe me disa vende të tjera të rajonit por jo me Shqipëri. Ndërsa nga ana tjetër importuesi më i madh është Turqia, është nga Kina dhe nga disa shtete që Kosovën e shfrytëzojnë për aspektin ekonomik se sa për ta ndihmuar”. – ka thënë ai.

Gërxhaliu më tej ka shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një plan për të minimizuar varshmërinë nga importi.

“Dhe në këtë drejtim po dëshmohet fakti se tregtia është si uji, që i gjen kanalet e importimit por që janë parametra apo indikator që duhet t’i analizoj Qeveria e Kosovës. Bazuar në këta parametra duhet ta hartojë një plan apo një strategji të minimizohet kjo varshmëri nga importi sepse nëse një shtet shndërrohet në një shtet të varur nga importi ardhmërinë e ka shumë të zymtë e them këtë duke u bazuar që kemi pasur inflamacion deri në 20% dhe pjesa dërrmuese e inflamacionit është importuar dhe kjo është një barrë shumë e madhe apo goditje për rastet sociale, në rend të dytë për shtresën e mesme.” – ka përfunduar Gërxhaliu.

Lajme të ngjashme